Min3, i lindur në Kavajë por prej vitesh jeton në Itali, është një tjetër talent i ri në tregun muzikor shqiptar. Edhe pse ka rreth 10 vjet që merret me muzikë, Min3, emri i vërtetë i të cilit është Hamit Biba, ka zgjedhur të prezantohet pikërisht tani në tregun shqiptar.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Min3 ka shpjeguar se ka shumë vite që merret me muzikë, ka trokitur në shumë dyer të cilat nuk i janë hapur por ai nuk ka ndërmend kurrë të ndalet së marruri me muzikë. “Bagazhi” i muzikës së Min3 nuk është vetëm “hip-hop”, madje atij nuk i pëlqen aspak kur e quajt reper pasi preferon ta konsiderojnë si një këngëtar.

Hip hop-i” më pëlqen prej faktit se është i vetmi zhaner ku nje artist mund të tregojë shumë për veten e tij, gjëja që unë po mundohem të bëj me “PART 2”. Muzika më pëlqen tërsisht le të themi por zhanret që dëgjoj më shumë janë natyrisht “hip hop”-i, “Pop”, “R&B”, “Reggeaton” etj.”, tregon Min3.

“Part 1” është kënga debutuese e Min3, e publikuar rreth dy muaj më parë, e cila është pasuar nga “Part 2/VR46”, publikuar rreth një javë më parë.

Por çdo të thotë VR46?

Këto iniciale identifikojnë Valentino Rossi dhe i pyetur se pse artisti ka zgjedhur pikërisht Valentino Rossi-n, ai është përgjigjur: “Eshtë një legjendë e moto gp-s, një shembull si personalitet dhe një garues që nuk do të harrohet kurrë. Këtë gjë dua të bëj edhe unë me muzikën time, të jem një shembull dhe të krijoj një imazh që të qëndrojë gjatë në muzikën shqiptare.

“Part 2/VR46”, e cila për këtë javë renditet në vendin e 82-të, i përket zhanrit muzikor “trappeton”.

Min3 ka zbuluar për “Top Awards” se momentalisht është duke punuar për një projekt të ri, e cila është një këngë që flet për një ndarje. Kjo këngë nuk është një dedikim, por thjesht një frymëzim.