Me talentin e Lidia Lufit jemi njohur në edicionin e 6-të të “The Voice of Albania”. Një prej finalisteve të këtij “talent show”, Lidia arriti të fitonte zemrat e publikut shqiptar me performancat e saj energjike dhe njëkohësisht plot emocion. Pas kësaj eksperience, që vetë Lidia shprehet se ishte një mrekulli, talenti më i ri në muzikën shqiptare sapo ka publikuar projektin e saj të parë muzikor, të titulluar “Home”.

Falë sugjerimeve nga ana e publikut, kjo këngë ka mundur të futet menjëherë në klasifikimin e “The Top List”, ku për këtë javë mban vendin e 50-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për listën e cila përbëhet nga 100 këngë.

E kontaktuar nga “Top Awards”, Lidia ka folur me shumë dashuri dhe sinqeritet për projektin e saj të ri, për të cilin është edhe vetë autorja e tekstit. Ajo ka zbuluar kuptimin e “Home” dhe detaje të tjera lidhur me këtë projekt muzikor.

Top Awards: Kush është Lidia Lufi?

Lidia: Unë jam një vajzë shkodrane 20-vjeç, rritur në një familje që e ka dashur shumë artin por nuk e ka parë dhe inkurajuar kurrë si një rrugë apo karrierë premtuese për të ardhmen. Duke pasur një motër më të madhe në vitet e hershme të fëmijërisë me këngën shumë pranë, disa herë pjesëmarrëse në kompeticione por në shumicën e herëve e zhgënjyer, gjithmonë kam qënë e tërhequr ndaj çdo mundësie për të nxjerrë nga fshehtësia dashurinë për muzikën. Kështu që nuk e kam konsideruar ndonjëherë veten mjaftueshëm të denjë dhe as imagjinuar jetën ndonjëherë në këtë spekter.

TA: Na fol pak për eksperiencën tënde tek “The Voice”? Sa ka ndryshuar Lidia nga kjo eskperiencë?

Lidia: Rrugëtimi “The Voice”, siç e kam thënë, për mua eeshtë një mrekulli që erdhi në rrethanat e vendin e duhur. Në kohë të vështira, si humbja e babait, momente të tilla të ngrijnë në re e të bëjnë të harrosh pak realitetin. Duke pasur parasysh gjithashtu që babai ka qënë iniciatori i tentativës së parë për të kaluar kufijtë që i kisha vënë vetes, m’u bë një kauzë e dyfishtë për t’ia dalë “Voice-it”.

Pozicioni ne lidhje me muzikën, të parit në pasqyrë të vetes pas përfundimit të tij, ka ndryshuar rrënjësisht – nga vlerësimi kritik dhe jokritik që mora, nga ovacioniet, nga emocionet, nga pranimi deri diku i botës që doja të percillja dhe më e rëndësishmja nga njerëzit fantastikë që më ra rasti të takoj përditë.

TA: Për çfarë flet “Home”?

Lidia: “Home” është një lule që ka mbirë mbi një tokë që është ujitur për ca kohë nga vështirësi dhe mendime të ndrydhura në lidhje me jetën e brendshme të njeriut, që jo shumë shqetësohen ta shpërfillin apo ndoshta thjesht nuk arrijnë të kuptojnë. Pak filozofi vetmie, braktisjes që është deri diku e pashmangshme, sensi të të mos përkiturit asgjëkundi, i te huajës në shtëpinë tënde. Si autore, kam derdhur gjithë mllefin dhe zemërimin për fenomene personale në tërësi, duke i dhënë mundësi secilit të ndihet emocionalisht i përfshirë.

TA: Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe videoklipin?

Lidia: Autorja e tekstit jam unë, për muzikën është kujdesur me shumë përkushtim Enis Mullaj. Për videoklipin janë kujdesur dy sy të mprehte dhe detajistë të paparë, Emanuel Palushaj dhe Gent Puka, që janë gjithashtu njerëz të afërt të mi. Pastaj mbrapa perdes ka njerëz që më kanë frymëzuar e drejtuar gjatë punës, çunat e bandës, muzikantë që janë dhe miq të zemres, Ergys Myftari dhe Anton Fjerza, Arlind Shazi, një shpirt i lirë që më mbush me ide të çmendura.

TA: Si është pritur ky projekt muzikor nga publiku shqiptar?

Lidia: Të jem komplet e sinqertë, pritshmëritë në lidhje me këngën kanë qënë të kufizuara në mendjen time, duke qënë se është një material goxha avantgardë për Shqipërinë dhe perceptimin muzikor këtu. Shikueshmëria deri më tani jo vetëm i ka kaluar ato por feedback-u ka qënë befasues nga dëgjuesit. Më gëzon fakti që për disa kam sjellë pikërisht melodinë që kanë dashur të dëgjojnë që me kohë, kam dhënë ndjesinë që kanë dashur të përjetojnë.

TA: Cilës rrymë muzikore i përket?

Lidia: Kënga hyn tek “Alternative RnB” me elemente “Downtempo”.

TA: Mendon t’i qëndrosh besnike kësaj rryme apo mund t’i përshtatesh kërkesës së publikut?

Lidia: Kjo këngë është patjetër brenda shijeve të mia por jo pasqyrim i qartë i muzikës që do Lidia më së shumti. Unë përtej të gjitha eksperimenteve që mund të bëj me muzikën për momentin apo dhe në të ardhmen, dua muzikën e mirë dhe që qëndron mbi shpirt. Personalisht, nuk mendoj që është koha e duhur t’i përshtatem publikut, është koha që publiku të njohë dhe të marrë një copë nga Lidia.

TA: Si ndihesh që je pjesë e “The Top List”?

Lidia: “The Top List” është një ndër përcaktuesit muzikor më të rëndësishëm sot në Shqipëri për publikun e gjërë, është kënaqësi e veçantë. Më bën të lumtur fakti që është kërkuar nga individë të ndryshëm që të mund të bëhet pjesë e saj.