Gjatë kësaj jave kemi patur 5 projekte të reja, të cilat janë bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Ndërkohë që me artistët e tjerë jemi njohur edhe më parë, Fajt është një reper, i cili ka hyrë për herë të parë në listë.

Po kush është Fajt?

Emri i tij i vërtetë është Alban dhe ka lindur në Prishtinë. Albani ka treguar për Top Awards se ka vendosur të marrë emrin e artit Fight(lufto) por që tashmë e preferon ta shqiptojë atë në gjuhën shqipe duke u quajtur Fajt.

Fajt ka nisur të merret me muzikë prej shumë kohësh por me zhanrin Hip Hop ai ka filluar që prej vitit 2001 dhe këngën e parë e ka regjistruar në vitin 2002 edhe pse ishte një këngë jo profesionale, e regjistruar me mikrofon të kompjuterit.

Albani ka qënë gjithashtu pjesë e grupit ECLIPS, i cili ka ekzistuar deri në vitin 2007. 28-vjeçari më pas lidhi një kontrat me Infinit Records.

Fajt ka zbuluar gjithashtu se pasioni për muzikën lindi që në kohën kur dëgjonte CD me artistë të ndryshëm por ai thekson se artisti që e ka frymëzuar më shumë ka qënë METHODMAN (WU-TANG).

Reperi ka treguar se në familjen e tij ka disa persona që merren me muzikë edhe pse jo me rrymën e tij të preferuar Hip-Hop.

Deri tani Fajt numëron disa bashkëpunime dhe këngë “solo” në karrierën e tij muzikore por i pyetur se sa këngë ka bërë ai në total, këngëtari përgjigjet se janë 100 demo të publikuara por që tashmë nuk mund t’i gjejë pasi në atë kohë nuk kishte kanal në Youtube.

Për këngën e tij më të fundit, “Bona llaf bona”, Fajt tregon se për tekstin është kujdesur për një kohë të gjatë, duke shkruar gjatë gjithë kohës. Ndërsa për instrumentalin është kujdesur Dorant Beats. E regjisturar nga “Paper Plane” dhe e masterizuar nga Don Gima, kjo këngë është bërë pjesë e listës këtë javë, duke u pozicionuar në vendin e 100-të.