“Bomb” është një nga hyrjet më të reja të klasifikimit të “The Top List”, i cili është renditur mjaft mirë falë mbështetjes së madhe nga ana e publikut. DAVID ka rrëmbyer vëmendjen e publikun me këtë projekt muzikor, i cili është mjaft veror, duke u renditur në vendin e 32-të.

Por kush është David?

I kontaktuar nga “Top Awards”, David ka treguar më shumë për veten e tij dhe për projektin e  parë me videoklip, “Bomb”.

DAVID fillimisht është bërë i njohur për publikun shqiptar falë pjesëmarrjes së tij në Kënga Magjike, ku është nominuar për cmimin “Best New Artist”. DAVID tregon se ka nisur të këndojë që kur ishte vetëm 4-vjec dhe më pas nisi shkollën e muzikës në Podgoricë. Këngëtari nuk e la me kaq, ai vijoi më tej studimet për kanto, piano, kitar dhe solfegj në Shqipëri.

Sa i përket këngës së tij më të re, “Bomb”, David tregon:

TA: Sa projekte muzikore numëroni derimë tani apo ky është projekti juaj i parë?

DAVID: Kjo është kënga ime e parë me videoklip por që fillimin e karrierës e kam patur tek “Kenga Magjike” në vitin 2016 dhe vitin 2017.

TA: Si lindi ideja për këtë këngë?

DAVID: Thjesht unë jam duke punuar në shumë këngë dhe projekte. Kjo këngë ka kohë që është punuar dhe këtë vendosëm të publikonim të parën.

TA: Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin?

DAVID: Tekstin e kam punuar unë bashkë me Lumi B dhe BigBang. Muzika po ashtu është punuar nga Big Bang. Kurse klipin e kam punuar me Valon Azirin.

TA: Pse vendosët ta titullonit “Bomb”?

DAVID: Ishte spontane dhe mëqënëse është këngë ritmike, verore dhe shume e kapshme. Ka shumë pak fjalë në tekst dhe fjala “Bomb” ërsëritet shumë, kështu që vendosëm ta titullonim “Bomb”.

TA: Si është pritur nga publiku? Ke patur ndonjë kritikë?

DAVID: Eshtë pritur shumë mirë nga publiku që ditën e parë që është publikuar dhe kjo shihet më së miri në klasifikimin e “The Top List” sepse vetëm 10 ditë nga publikimi i këngës dhe është pëlqyer dhe votuar kaq shumë, duke shkuar në vendin e 32-të. Jo, nuk kam patur ndonjë kritik, vetëm lavdërime, mbështetje dhe shumë dashuri.

TA: Po ti vetë do dëshiroje të kishe bërë diçka ndryshe tek kjo këngë?

DAVID: Nuk besoj, megjithëse jam i ri, do punoj dhe do sjell projekte të tjera të ndryshme.

TA: Çdo të thotë për ty të jesh pjesë e klasifikimit të “The Top List”?

DAVID: Me në fund ia dola. Mbas 10 viteve punë dhe përkushtim me shumë dashuri dhe pasion, zëri dhe kënga ime po dëgjohen dhe po ashtu puna ime po vlerësohet. Për mua është një gjë e madhe të jem pjesë e klasifikimit më të rëndësishëm të muzikës moderne shqiptare në ketë moshë kaq të re.

TA: Do publikoni projekte të tjera këtë verë?

DAVID: Po, kam shume projekte të tjera që do i publikoj. Këtë verë do publikoj edhe një ose dy projekte “solo”.