Gjatë kësaj jave kishte vetëm dy hyrje të reja muzikore ku njëra prej tyre është projekti muzikor më i ri i Arinda Gjonit, “A jena”. Po kush është Arinda? Arinda Gjoni ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve për kanto dhe vjen nga një familje muzikantësh. Arinda, e cila ka nisur të këndojë që në moshë të vogël, së bashku me familjen e saj kanë një grup muzikor, të cilët performojnë nëpër evente të ndryshme si brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku babai i saj është pianisti.

E kontakuar nga Top Awards, Arinda ka zbuluar më shumë për veten e saj dhe projektet muzikore, veçanërisht për “A jena”, i cili është futur këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.

TA: Sa projekte muzikore keni publikuar deri tani?

Arinda: Deri tani kam publikuar 6 projekte muzikor. 1. “Shpirti Flet” nga “Threedots”, 2. “Krejt t’miren po dokan” nga Elgit Doda, 3. “Ilegal” nga Alandy kompozitor romun , 4). “Mekataret nuk ndryshojne” nga Florent Boshaknju dhe Liberian Selimi, 5. “Nese Don” nga Elgit Doda dhe projekti me i fundit “A Jena ” nga një kompozitor i ri por shumë i talentuar Marsel Gunga. Të gjitha fatmirsisht më kanë rezultuar të sukseshme dhe jam e lumtur për këtë!
TA: Këndoni edhe në dialektin kosovar, pse kjo zgjedhje?

Arinda: Pjesa e të kënduarit në dialekt i referohet rrymës së cilës është ndërtuar kënga. Janë disa zhanre muzikore që i duhet ai lloj “sllengu” dhe kjo është arsyeja që këngët e mia kanë qënë me shumë në dialekt. Mendoj që më rri edhe më shumë me karakterin e të kënduarit sepse edhe unë vetë jam nga Veriu i Shqipërisë.

TA: Këngëtarja jote e preferuar, shqiptare dhe e huaj…

Arinda: Mua gjithmonë më kanë pëlqyer këngëtaret potente, me zë të plotë dhe që kanë nerv dhe impuls në të kënduar! Nga të huajt mund të veçoj Jessie J dhe nga shqiptaret Aurela Gace.

TA: “A jena”, kush është kujdesur muzikën, tekstin dhe klipin?

Arinda: Për këngën “A Jena ” është kujdesur një skuader shumë e mirë “Gravity Music”. Muzika nga Marsel Gunga, kompozitor i ri por shumë i talentuar. Teksti është punuar bashkarisht me “Gravity Music” ndërsa për videon është kujdesur një djalë super i talentuar, Blerti Talelli pra “Talelli Production”. Kjo kompani video anon nga reklamat “fashion” dhe “videot fashion” në përgjithësi dhe unë këtë doja sepse i përshtatej stilit tim edhe atë që doja unë.

TA: A ka një detaj që nuk ju ka pëlqyer në videon e “A jena”?

Arinda: Jo, nuk ka asgjë që nuk më pëlqen. Madje është i vetmi klip i imi që unë e adhuroj në çdo detaj!

TA: Ky projekt ju bën për herë të parë pjesë të “The Top List”, si ndiheni për këtë?

Arinda: Me vërtet ndihem mirë që jam pjesë e “Top Awards”. Kënga është pëlqyer shumë nga të rinjtë dhe jam vërtet e lumtur që kam përcjell energji të mirë.

TA: Cili mendoni se do të jetë pozicionimi juaj javën e ardhshme?

Arinda: Nuk e di, shpresojmë që kënga të vazhdojë t’i argëtojë dhe të na votojnë që të jemi lart e me lart (buzëqesh)!

TA: Një mesazh për fansat që të kanë votuar

Arinda: Normal që po. Faleminderit, ju them që i dua shumë dhe kërceni dhe argëtohuni sa më shumë me këngën “A Jena”