Ambra është një vajzë 15-vjeçare nga Tirana dhe ka një pasion të madh për muzikën. Edhe pse tepër e re në moshë, Ambra ka vendosur t’i futet tregut muzikor shqiptar, edhe pse mund të jetë i ashpër.

E kontaktuar nga “Top Awards”, Ambra ka treguar se ka kryer disa kurse të ndryshme për vokalin, ku ka fituar edhe eksperienca për të kënduar. Falë mbështetjes së madhe nga babai i saj, 15-vjeçarja ka arritur të publikojë projektin e saj të parë muzikor, i titulluar “Baby”.

Kjo këngë, muzikën dhe tekstin e së cilës e ka bërë Joniad Banushi nga “MGM Studio” dhe me një klip të Dart Channel, ka mundur të bëhet pjesë e klasifikimit të “The Top List” këtë javë , duke u renditur në vendin e 80-të.

“Eshtë një surprizë e pabesueshme, kjo do të thotë shumë për mua dhe nuk arrija ta besoja që jam bërë pjesë e “Top Awards”. Kjo më jep më shumë besim dhe frymëzim për të vazhduar më tej më muzikën”, shprehet Ambra për ndjesinë e të qënurit pjesë e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

E pyetur nëse muzikën e sheh thjesht si një pasion apo një profesion në të ardhmen, Ambra ka thënë: “Muzikën e shoh si pasionin tim më të madh, të cilën dua ta vazhdoj për të ardhmen time”.