Ai është një ndër artistët më modest të industrisë muzikore shqiptare. Po flasim për Art Abazin, artisti i cili prodhon muzikë të bukur, të thjeshtë dhe plot dashuri. Pavarësisht se nuk është renditur ndonjëherë në pozicionet më të rëndësishmë të klasifikimeve muzikore, muzika e tij duket se dëgjohet në heshtje, duke mos bërë shumë zhurmë, si vetë ai…

Unë muzikën nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër, përveç përmbushjes shpirtërore“, kështu shprehet artisti në intervistën e dhënë së fundmi për Top Awards.

Ndërkohë që po punon fort për të sjellë albumin e tij të parë, Abazi është rikthyer në klasifikimin e “Top Awards” me një projekt të ri muzikor, i cili ka ardhur në bashkëpunim Boocky Dj, me një ftesë të bërë nga Endri Buka, emrit i të cilit është i njohur për publikun shqiptar.

“Ndoshta ke harruar emrin tim” mban titullin projekti muzikor, i cili për këtë javë ka marrë sugjerimet e nevojshme, duke u pozicionuar në vendin e 23-të.

I kontaktuar nga Top Awards, Art Abazi ka zbuluar më shumë për këngën e re, albumin e tij të parë por edhe dicka më shumë për bukuroshën që i ka rrëmbyer zemrën.

TA: Si lindi ideja për të bashkëpunuar me Boocky Dj?

Art Abazi: Endri Bukën e kisha njohur si emër po asnjëherë nuk jemi takuar më parë, deri në momentin e bashkëpunimit për këngen. Fillimisht Endri më ftoi për t’iu bashkangjitur projektit që kishte nisur dhe unë nuk hezitova të pranoja meqënëse e vlerësoj shumë muzikalitetin e Endrit dhe tashmë edhe personalitetin e tij. (buzëqesh)

TA: Pse keni zgjedhur të mos e promovoni në rrjetet sociale?

Art Abazi: Kënga është promovuar në rrjetet sociale por unë funksionoj kështu, nuk e teproj me promovim të shpeshtë sepse më duket sikur kalon në imponim pastaj dhe nuk dëshiroj të bëhem i tepërt për njerezit. Besoj që notat e mira e fjalët e bukura nuk kanë nevojë për promovim të tepruar. (buzëqesh)

TA: Sa bashkëpunime numëroni derimë tani dhe cilin do konsideronit si më të veçantin?

Art Abazi: Kënga e fundit është bashkëpunimi i tretë i imi. I pari ishte me Mc Kreshën, pastaj me Llunin dhe ky i fundit me Boocky Dj. Nuk e vecoj asnjërin sepse secila këngë eshte histori në vete dhe secili bashkëpunim, eksperiencë në vete.

TA: Rreth dy vite më parë në një intervistë për Top Awards, je shprehur se askush nuk kishte treguar interes për një bashkëpunim me ju, cfarë ndodhi?

Art Abazi: Ou ?! Paskam filluar të harroj .. sa keq! Në fakt, ështe e vërtetë që derimë sot, përvec Mc Kreshes, askush nga këngëtarët aktual dhe ata që kanë lënë gjurmë, nuk kanë treguar ndonjë gatishmëri për të krijuar dicka së bashku. Ndoshta kjo ka ndodhur për faktin se edhe ata që dikur bënin muzikë, tani fatkeqsisht kanë devijuar rrugën dhe natyrisht unë nuk ju përshtatem për të tilla bashkëpunime. Sigurisht, jo të gjithë e gëzojnë respektin dhe vlerësimin nga unë. Sidoqofte…

TA: Po planifikoni të publikoni albumin tuaj të parë, na zbuloni më shumë. Sa këngë ka? A keni bashkëpunime? Këngët do të shoqërohen me klipe dhe më kryesorja kur do të publikohet?

Art Abazi: Albumin e kisha në plan ta publikoja në Dhjetor por për shkak të situatës që ka ç’rregulluar çdo gjë, ende nuk e kam kompletuar në tërsi. Jam duke punuar për këngën e fundit të albumit, ku i kam bashkuar forcat me dy studiot e fuqishme, atë të Gent Myftaraj, producentit tim besnik dhe me “Redbox Studio” ku bashkë me Big Bang, po mundohemi të sjellim dicka të freskët dhe shumë interesante, këngë e cila do të jetë përmbyllëse për albumin e parë. Natyrisht që kënga do vijë me klip. Pastaj për në Mars kam një bashkëpunim super interesant, të cilin po e lë si befasi të këndshme..

TA: Mendoni se keni zgjedhur vitin më të vështirë për të publikuar albumin tuaj, thënë kjo për shkak të situatës ku gjendet muzika nga pandemia?

Art Abazi: Unë muzikën nuk e bëj për asnjë qëllim tjetër, përveç përmbushjes shpirtërore, situata që ndodhemi nuk më ka penguar absolutisht për të qënë aktiv këto kohë. Përkundrazi, kjo edhe ka qënë terapia më e mirë për t’u mos ç’ekulibruar emocionalisht. (buzëqesh)

TA: Edhe pse nuk preferoni të jeni në qendër të vëmendjes, ndoshta pa dashur vëmendja është tek ju, si po ndiheni për këtë?

Art Abazi: Nuk ka asnjë lloj vëmendje. Unë i ndjej gjërat shumë mirë por vëmendje nuk po ndjej, madje as tani që po e bëjmë këtë intervistë së bashku. (buzëqesh)

TA: Profili juaj i “Instagramit” përcjell shumë dashuri, na zbuloni diçka për bukuroshen që të ka rrëmbyer zemrën….

Art Abazi: Faleminderit për fjalët. Cfarë doni t’ju zbuloj më shumë se të përcjellë dashuri me fotot dhe videot që une i ndaj me të gjithe ju?! (buzëqesh). Une dhe “bukuroshja që më ka rrëmbyer zemrën” po mundohemi ta shijojmë jetën maksimalisht, në rrugëtimin që kemi nisur bashkë rreth 6 vite më parë. Ne duhemi dhe të njëjtën dashuri mundohemi ta përcjellim edhe virtualisht për të sensibilizuar qoftë edhe për një moment të vetëm njerëzit që e harrojnë ndonjëherë faktin se dashuria është ajo që na mban në jetë.