Duket se kjo verë ka sjellë më shumë se kurrë projekte të reja muzikore. Artistët kanë zgjedhur periudhën më të mirë për të qënë sa më pranë publikut, duke luftuar në një farë mënyre për ata që do të quhet hiti i kësaj vere.

Ndërkohë që javën e shkuar kishte 7 prurje të reja në klasifikimin e “The Top List”, kjo javë ka ardhur me 8 të tilla, duke bërë kështu që klasifikimi të ndryshojë më shumë se 50%.

“Karma”, bashkëpunimi më i ri i Flori Mumajesit, Brunos, Klajdit dhe Dj Vicky është një nga projektet muzikore që është publikuar këtë javë dhe është shndërruar menjëherë në këngën më të komentuar. Ky projekt veror për këtë javë pozicionohet në vendin e 35-të.

Aurela Gaçe dhe Fifi bashkuan fuqitë këtë verë, duke sjellë këngën e titulluar “S’nuk”, e cila menjëherë ka tërhequr vëmendjen e publikut. Falë sugjerimeve të shumta, ky projekt muzikor për këtë jave renditet në vendin e 37-të.

Një tjetër bashkëpunim i veçantë është konsideruar edhe ai i Ardian Bujupit me Capital T. Projekti i dyshes, i titulluar “Andiamo”, është bërë pjesë e listës këtë javë, duke u renditur në vendin e 40-të.

Për herë të parë në listën zyrtare të “Top Awards”, këtë javë është futur Adelina Tahihiri, projekti i së cilës i titulluar “S’je normal”, pozicionohet në vendin e 46-të.

“Mbi re” titullohet prurja me e re e Ledri Vules dhe Buta, i cili që në javën e parë të publikimit, është bërë pjesë e “The Top List”. Falë sugjerimeve, kjo këngë këtë javë mban vendin 48-të.

Gjatë javës së shkuar, patëm disa artistë të rinjë në listën e Top Awards, të cilët kanë prezantuar projektet e tyre të para muzikore, kështu që as këtë javë nuk kanë munguar. Jehona dhe projekti i saj, “Largësia”, është futur në listë duke u renditur në vendin e 49-të.

Po kësaj vere nuk mund t’i mungonte një projekt muzikor nga Mozzik, i cili kësaj radhe ka ardhur me “Xhelozia”. Kjo këngë këtë javë pozicionohet në vendin 50-të.