menu

Ndryshon sërish kreu, Kida zë fronin!

Jemi në javën e 117-të të klasifikimit të “The Top List” dhe vihet re se konkurrenca për të zënë kreun e listës është gjithmonë e fortë.

Tre javët e fundit, kemi patur një “luftë” mes tre artsiteve të talentuara shqiptare, Elvana Gjatës, Dhurata Dorës dhe Kidës për të zënë kreun e listës.

Ndërkohë që një javë më parë “Trandafil” i Dhurata Dorës dhe Flori Mumajesit mposhti “Me fal” të Elvana Gjatës, kjo javë ka sjellë përmbysjen e bashkëpunimit të mësipërm, duke bërë që Kida të zërë kreun me projektin e saj më të ri muzikor, “Ti”.

Në fakt kjo nuk është hera e parë që Kida kap kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. 20-vjeçarja e talentuar, e cila u vlerësua në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Top Music Awards 2016”, me çmimin “Artist to Watch” ka kryesuar “The Top List” edhe tre herë të tjera.

Në muajin nëntor, ajo ka qënë në vendin e parë me bashkëpunimin e suksesshëm me Feron, “Harroj”, i cili ende vazhdon të jetë pjesë e listës, duke bërë 20 javë në klasifikim.

Një sukses në “The Top List” ka korrur edhe bashkëpunimi i Kidës me Xhensilën, “Uh Baby”,  i cili ka qëndruar në krye për dy javë.

Artistja, e cila e ka treguar se performancat “live” janë pika e saj e fortë, do të jetë e pranishme në natën e parë “live” të “The Voice Kids”, ditën e premte, më 23 Mars, ku me siguri do të elektrizojë publikun në sallë dhe atë që e ndjek nga ekrani i Top Channel.