Java e kaluar e shndërroi Yll Limanin në një rrezik për vendin e parë dhe duket se ashtu ka rezultuar pasi “Buzët e Kuqe” ka arritur të zërë vendin e parë, duke zhvendosur kështu Bardhin me “Interes” në vendin e 7-t.

Përvec ndryshimit të vendit të parë, “Top 5” ka pësuar gjithashtu ndryshime ku surprizë është Stresi dhe kënga e tij “Locos”. Ndërkohë që pushtoi vendin e parë për 7 javë rresht, “Locos” është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes dhe për këtë javë është ngjitur me 5 pozicione, duke u pozicionuar në vendin e dytë.

Në vendin e tretë kemi një projekt të ri muzikor dhe bëhet fjalë për këngën e shumëpritur të Capital T, “Fjalt e Nanës”. Një këngë që përcjell shumë emocion me një tekst perfekt është prurja më e re e Kapos, e cila është pozicionuar menjëherë në “Top 3”.

Bardhi ka patur një javë jo fort të suksesshme, duke bërë që të humbasë një pozicion me “Betohemi” dhe 6 pozicione me “Interes” dhe duket se shkak janë bërë zhvendosja e këngëve të tij në kanalin personal në “Youtube”.

Sa i përket vendit të 5-të, është i vetmi që nuk ka ndryshuar krahasuar me një javë më parë pasi është Petrit Carkaxhiu me “Drenushë e Trembur” që mbyll 5-shen e këngëve më të votuar të kësaj jave.