I gjithë vendi po përjeton një situatë të vështirë për shkak të COVID-19, i cili ka hyrë në Shqipëri, thuajse dy javë më parë. Teksa po qëndron në shtëpi, publiku shqiptar vazhdon të dëgjojë muzikë të mirë dhe sigurisht vazhdon të votojë artistët e preferuar.

Ndryshe nga java e kaluar, këtë javë në vendin e parë është renditur një ndër publikimet më të reja të Ledri Vulës “10/10”, albumi i të cilit mban të njëjtin titull.

Kënga më e re e Ledrit ka zhvendosur “C’est la Vie” të Besës në vendin e 6-të, e cila ka humbur 5 pozicione krahasuar me javën e kaluar.

Surprizë e madhe këtë javë ka ardhur edhe Stresi, kënga e të cilit “Loco” ka marrë vota maksimale, duke u ngjitur me 98 pozicione nga java e kaluar. Publiku ka arritur ta rendisë reperin në vendin e dytë.

Sa i përket vendit të tretë, është bashkëpunimi i Butrint Imerit dhe Ermal Fejzullahut, “Për një dashuri”, i cili vazhdon të jetë në zonën e nxehtë të listës, pavarësisht se ka humbur një pozicion nga java e kaluar.

Kjo javë ka sjellë 5 hyrje të reja, dy prej të cilëve javë artistë të rinj dhe që për herë të parë bëhen pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.