menu

Muza që ende vjen në “Endrrat e Alban Ramosaj”…


14:14 05/01/2019

Ndërkohë që ende nuk është zbuluar kjo “muzë” kaq fatlume e Alban Ramosaj, ky i fundit ka treguar për “Top Awards” se “Hiraeth” projekton gjithë historinë që ai ka përjetuar.

Një triologji për një muzë, ky ka qënë një ndër projektet më të rëndësishme të këngëtarit vitin e kaluar, i cili është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar. Artisti e ka mbyllur këtë vit më mirë se kurrë, duke publikuar pjesën e fundit të triologjisë “Hiraeth”, të titullar Endrrat e Mia”.

Edhe pse “Iku”, Albani ende dëshiron të dijë arsyen “Pse iku” ndërkohë që ajo vazhdon ende të shfaqet në ëndrrat e artistit. Pavarësisht këtij përjetimi kaq të ndjerë, Ramosaj ka zbuluar për “Top Awards” se kjo histori tashmë ka përfunduar mirëpo ai shton: “Kurrë mos thuaj kurrë”, duke lënë të nënkuptohet një rikthim i mundshëm.

Në një rrëfim për “Top Awards”, Albani ka zbuluar më shumë për këtë projekt dhe muzën e tij.

Top Awards: Je i pari artist në Shqipëri që bën një triologji, si lindi kjo ide?

A.Ramosaj: Nuk e dija këtë, interesante që nuk i paska shkuar në mend ndonjë artisti tjetër më parë. Nga fakti që shkruajta shumë këngë për një muzë dhe për një ndjesi specifike që më dha, kur lexova dhe dëgjova krijimet po projektonin të tërë historinë si të ishte film dhe ndaj mendova t’i ndaj e t’i rendis në mënyrë kronologjike. Ne fillim do i publikoja si një video të vetme por duke qënë se konsumatorët jo vetëm tek ne por globalisht kanë evoluar në përqëndrueshmëri më të shkurtër dhe më “fast food”, vendosa përfundimisht që t’i ndaj në tre pjesë e të ushqej dëgjuesit pak e nga pak që të mos ishte në asnjë sens e rëndë për t’u përtypur si emocionalisht e si vizualisht sepse edhe filmimet tregojnë detaje të pashkruara në këngë, po ti shikosh me rradhë.

Top Awards: Qershia mbi tortë është konsideruar “Endrrat e mia”, ti kë preferon më shumë?

A. Ramosaj: Ti kë do më shumë, mamin apo babin? (Qesh) E kam thënë dhe njëherë më përpara, krijimet e mia i konsideroj si copëza apo përzgjatje shpirtërore të miat që i kam dhënë akses edhe publikut t’i eksplorojë. Nuk i ndaj dot sepse secila ka atë historinë, orën, datën dhe vendin e vetë që nuk krahasohen dot. (Si me parfumet që të çojnë në një vend specifik ose të kujtojnë një person specifik). Nëse më pyet se cilën dëgjoj/shikoj më shumë këto kohë, do thoja pjesën e parë, “Ike”.

Top Awards: Në këtë triologji, bëhet fjalë për një femër të vetme? Nga 1-10, sa të mungon?

A. Ramosaj: Siç e thashë dhe më lartë, një trilogji për një muzë. (Qesh), dëgjoni këngët.

Top Awards: Do na zbulosh ndonjë gjë për vajzën që të vjen në Endrrat e Tua? A ekziston mundësia e një rikthimi?

A. Ramosaj: Ka ca kohë si trilogji që është shkruar dhe jam rritur përtej deluzioneve adoleshenciale, mendoj se çdo gjë ka një fund dhe ndjesive të mia që kisha përgjatë asaj periudhe. (Po më duket sikur po flas me një terapist dashurie dhe po i tregoj që jam ok, I’m over it). (Qesh) Gjithësesi, thonë kurrë mos thuaj kurrë.

Top Awards: Ke ndonjë mesazh që dëshiron tia japësh vajzës përmes “Top Awards”?

A. Ramosaj: Çfarë kisha për të thënë i shkrova në letër e i futa në shishe, shishen e hodha në det. (Qesh)

Top Awards: Mendon se duke i hedhur përjetimet e tua në projekte muzikore, do mbetesh pa të dashur sepse femrat kanë frikë se pas disa kohësh do jenë pjesë e repertorit tënd?

A. Ramosaj: Përkundrazi. Besoj se nuk ka njeri në tokë që nuk ka dëshirë të ketë një shkrim romantik të shkruar specifikisht për të. Më kujtohet një shprehje që thotë: “Nëse një shkrimtar/e bie në dashuri me ty, ti nuk vdes kurrë” që më duket shumë poetike si fjali dhe e vërtetë.

Po “Bitchi Mesnates”?

A. Ramosaj: “C’të mbjellësh do të korrësh” (Qesh). “Bitchi Mesnates” është një këngë që e kam shkruar në bazë të eksperiencave të vetes së tretë kryesisht. Besoj se në mënyrën se si ka ardhur shoqëria apo kultura në ditët e sotme, nuk është fort habi kur lulëzojnë këngët e tilla sa aty-këtu. Në fakt meqë u prek dhe kjo temë, do doja të bëja me dije fansave dhe publikut se përgjatë këtij viti do të kem shkrime dhe këngë që nuk kanë të bëjnë me romancën dhe plot të tilla madje.

Top Awards: Që në javën e parë të publikimit, mban vendin e 5-të në “The Top List”, çdo të thotë kjo për ty?

A.Ramosaj: Më vjen shumë mirë e ndihem i vlerësuar kur nxjerr krijime të paqëllimshme për sukses komercial dhe vlerësohen në formate të tilla. Faleminderit, sinqerisht.

Top Awards: Si ka qënë për ty viti që lamë pas?

A. Ramosaj: 50% të kohës nuk ia kisha idenë se çpo bëja. (Qesh) Por rezultoi me kujtime të çmueshme, realizime projektesh që i dua fort, rritje e rrethit shoqëror, vizita vendeve që si kisha parë më përpara, njohje dhe veprimtari të reja në fusha të ndryshme të artit. Një nga gjërat që na mungoi jo veç mua po dhe artistëve të tjerë është skena e Top Awards-it. Kur, pse, si, n’çvend? (Qesh)

Top Awards: Ka nisur puna për projektin e radhës?

A. Ramosaj: Projektet*, po.