Rreth 7 javë më parë, Mozzik u rikthye në klasifikimin e “The Top List” me projektin e tij muzikor “Madam”. Që në momentet e para të publikimit të kësaj kënge, Mozzik u përball për probleme për shkak të autorësisë së këngës pasi shtëpia diskografike “On Records”, ku Mozzik ishte pjesë, e bllokoi nga kanali i “Youtube” me pretendimin se ishte e krijuar pikërisht nga ajo.

Pavarësisht kësaj, Mozzik arriti ta fitonte betejën dhe ta rikthente “Madam” në “Youtube”, një këngë që vazhdon ende të pëlqehet nga publiku. Falë votave të fansave, kënga për këtë javë mban vendin e 10-të.

Ndërkohë që “Madam” vazhdon ende të jetë tepër e dëgjuar, reperi ka kënaqur fansat e tij me një tjetër prurje të re muzikore, e cila është publikuar vetëm një javë më parë.

“Pa Pa” titullohet kënga e re e Mozzik, e cila është renditur menjëherë në vendin e 20-të, falë mbështetjes së madhe nga ana e fansave, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Sa i përket muzikës, ajo është punuar nga Miksu dhe Macloud ndërsa teksti mban vulën e vetë artistit. Pas largimit nga “On Records”, Mozzik dhe vëllai i tij, Getinjo, kanë krijuar shtëpinë diskografike “2 Euro Music”.