Ajo është rikthyer më fuqishëm se kurrë në skenën e muzikës shqiptare, duke publikuar jo një por dy projekte mzikore.

Bëhet fjalë për Miriam Canin, e cila para dy javësh ka nxjerrë projektin e saj “solo”, “Meteor”, projekt i cili shënoi dhe rikthimin e këngëtares pas disa vitesh pauzë muzikore.

Falë votave të fansave të saj, “Meteor” ka kapur këtë javë kreun e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke treguar qartë që fansave iu kishte munguar artistja e tyre e preferuar.  Miriami është gjithashtu në klasifikim edhe me bashkëpunimin e saj më të ri me Albana Skënderaj, “Dhurata”, një dedikim për vajzën e tyre, i publikuar në ditën e lindjes së vogëlushes, më 28 nëntor.  Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është bërë pjesë e listës, duke zënë vendin e 50-të.

Por këngëtarja është rikthyer më fuqishëm se kurrë, pasi së shpejti, Miriamin do e shohim në rolin e trajneres në “The Voice Kids”.

Ndryshe nga “The Voice of Albania”, Miriami është shprehur se ky format që tashmë i dedikohet vetëm fëmijëve, për të do jetë paska më i vështirë, sidomos tashmë që është bërë nëna e një vajze, Ameli.

“E pranova me shumë kënaqësi dhe besoj se do të ndihem shumë komode në këtë rol, pasi edhe mëmësia më ka bërë që fëmijët apo botën e fëmijëve ta shoh tashmë në një dimension edhe më të gjerë. Padyshim që do ta kem pak më të vështirë se sa në edicionet e kaluara të ‘The Voice’ sepse fëmijët kërkojnë një delikatesë dhe ndjeshmëri shumë të madhe në mënyrën se si do të trajtohen dhe mund të lëndohen shumë shpejt, por do të bëj më të mirën time që ata të argëtohen deri në fund dhe të largohen të lumtur,” ka thënë në një intervistë të dhënë së fundmi.