Kishin kaluar tre vite që nga publikimi i fundit i Miriam Canit por artistja e talentuar ka vendosur të rikthehet në industrinë e muzikës shqiptare, pas një pauze disavjeçare, më fuqishëm se kurrë më parë.

“Meteor” titullohet projekti më i ri i këngëtares shqiptare, i cili është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar.

Me muzikë të Julian Feifel dhe Elyssa James, tekst të Alban Skënderaj, kjo këngë e Miriam Canit përveçse në versionin shqip , do të vijë dhe anglisht, me titullin “Radio Silence”.

Në një intervistë të dhënë për “Pop Culture”, Miriami ka treguar se për këtë këngë ajo ka bashkëpunuar me një producent gjerman, me të cilin ajo ka punuar shumë vite më parë, gjatë kohës kur ishte pjesë e grupit Preluders.

Sa i përket tekstit, Mirami zbulon se Albani ka luajtur shumë me kontrastet, çdo frazë ka një kontrast, gjithmonë brenda kontestit të dashurisë pasi dashuria gjithmonë është e çmendur.

Përveç muzikës dhe tekstit, kjo prurje e re e Miriam Canit, ka tërhequr vëmendjen edhe me klipin e saj, për të cilin është kujdesur Ajola Xoxa.

“Në këtë këngë, ashtu si edhe vetë teksti e thotë, jemi munduar artistikisht t’i referohemi yjeve pra kemi luajtur me të gjitha elementet e dritës si ndriçim, xixa, diell”, shprehet Miriami sa i përket klipit.

Kjo video muzikore është e regjistruar vetëm në një vend të caktuar, por ndryshe nga videoklipet e mëparëshme të Miriamit, këtu përfshihen shumë personazhe, të cilët përfaqësojnë konselacionet yjore.

Miriami shton gjithashtu se me këtë projekt, ajo ka ardhur artistikisht me diçka të re, ndryshe nga projektet e mëparëshme.

Ndërsa lidhur me bashkëpunimin e saj me Ajola Xoxën, këngëtarja ka thënë: “Të punosh me femrat është diçka shumë e bukur por natyrisht varet me çfarë natyre apo karakteri je duke bashkëpunuar. Në rastin e Ajolës, ajo e ka shfaqur edhe në raste të tjera shpirtin e saj artistik dhe në këtë projket ajo ka krijuar një koncept shumë të veçantë, i cili edhe mua do më çojë në të tjera dimensione artistike. Eshtë një bashkëpunim perfekt deri tani”.

Miriami ka sqaruar gjithashtu disa thashetheme që tregojnë se kurora e zgjedhur nga Miriami në këtë klip, është e ngjashme me atë të Beyonce në performancën e “Grammys Awards 2017”. Këngëtarja tregon se ajo kurorë është simboli i Shën Mërisë dhe është përdorur në qindra e mijëra filma dhe klipe.

“Ky simbol është përdorur për të treguar të mirën ndërsa brirët që balerinët kanë veshur, përfaqësojnë të keqen, pra gjithçka i përmbahet tekstit të këngës”, shton artistja.

Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është pozicionuar në vendin e 6-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

E kontaktuar nga “Top Awards”, lidhur me pozicionimin e “Meteor” në “The Top List”, Miriam është shprehur: “Faleminderit shumë për vlerësimin. Uroj që ky projekt të përqafohet nga publiku. Eshtë një këngë dhe klip me shumë elementë dhe një nga ato projektet ku gjithçka është studiuar deri në detaj dhe punuar me shumë dashuri e pasion”.