Duket se ‘lufta’ e ashpër për të marrë fronin e “The Top List” vazhdon ende mes Elhaida Danit dhe Capital T. Thënë kjo Elhaida e ka mundur sërish Kapon me “Zanin” këtë javë.

Javën e kaluar froni i takonte Capital T me “Valle” që në fakt e rrëmbeu kreun në të cilën Elhaida ndodhej prej dy javësh, për t’ja lëshuar sërish tani. Duket si një lojë apo jo?

“Zanin” është rritur me dy vende në renditje nga java e kaluar, ndërkohë që “Valle” ka zbritur në vend të dytë. Megjithatë, ndryshe nga javët e kaluara, asnjë projekt tjetër i Elhaidës nga albumi i saj i ri nuk ndodhet në Top 5 dhe madje as në Top 10.

Megjithatë, konkurrenca mes Capital T dhe Elhaidës duket se nuk i shpëtoi as kësaj jave renditjes. Edhe pse përfaqësojnë këngë të rrymave të ndryshme, rivaliteti po rritet ndjeshëm. Ne jemi shumë kuriozë për të mësuar se çfarë kanë rezervuar votat e publikut për javën tjetër.