Ledri Vula ka arritur një tjetër sukses në klasifikimin e “The Top List”. Reperi i njohur ka qënë tepër aktiv kohët e fundit në muzikë, duke publikuar këngë të reja, në të cilat ka preferuar të vijë me bashkëpunime.

Pavarësisht se ka ardhur me prurje të reja muzikore, Ledri vazhdon të dëgjohet dhe votohet me këngët të publikuara kohë më parë, duke arritur rekordin e Kides, me 10 këngë në klasifikim. Sukses i reperit nuk ndalet vetëm me kaq, ai është gjithashtu pjesë e grupit të këngëve më jetëgjatë në listë me këngën “U harrum”, e cila ka 93 javë në “The Top List”, ku për këtë javë renditet në vendin e 50-të.

“That’s Mine” është projekti më i ri i Ledrit, i cili ka ardhur në bashkëpunim me reperin shqiptar me famë botërore, Gashi. Kjo këngë ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, duke u shndrruar në këngën më të dëgjuar dhe votuar të javës, ku falë votave të publikut, ajo ka zënë vendin e parë.

“Menemadhe” është një tjetër bashkëpunim, në të cilin i është bashkuar Lyrical Son dhe Mc Kresha. Kjo këngë, e cila ka katër javë që gjendet në klasifikim zyrtar të “Top Awards”, nuk është bashkëpunimi i parë për treshen e talentuar të artistëve. Kujtojmë që bashkëpunimi i tyre i parë ka qënë “Hip -Hip”, një këngë të cilën Lyrical Son, Mc Kresha dhe Ledri Vula e performuan në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të “Top Music Awards 2016”. “Menemadhe” për këtë javë renditet në vendin e 5-të, sikurse edhe javën e kaluar.

Rreth dy muaj më parë, Tayna zgjodhi Ledri Vulën për një bashkëpunim të titullar “Aje”, i cili rezultoi tepër i pëlqyer nga publiku shqiptar. Ndërkohë që ka 10 javë që është futur në klasifikimin e 100 këngëve me të bukura të muzikës moderne shqiptare, këtë javë ajo mban vendin e 8-të, duke e bërë Ledrin te jetë pjesë e “Top 10” me tre këngë.

Këngët e tjera “Mike”, “Princess Diana”, “Merri Merri”, “Nona”, “Nasty Girl” dhe “I vogel” renditen përkatësisht në vendin e 44-t, 57-të, 61-të, 65-të, 77-të dhe 82-të.