Jemi në javën e 132-të të klasifikimit të “The Top List” dhe nga java në javë konkurrenca e hyrjeve të reja, sa vjen e shtohet.

Vendi i parë, ashtu edhe si javën e kaluar i takon bashkëpunimit të Ledrit dhe Butës, “Merri Merri”. Për të dytën javë rresht, ky projekt muzikor ka marrë votat maksimale të publikut, duke u shndërruar në këngën më të dëgjuar të javës.

Pavarësisht se Ledri Vula ka publikuar një tjetër projekt të ri rreth dy javë më parë “Princess Diana” në bashkëpunim me Lyrical Son, duket se bashkëpunimi me Butën, i cili është i dyti për dy reperat, vazhdon të dëgjohet dhe votohet nga publiku shqiptar.

Sa i përket vendit të dytë dhe të tretë në “The Top List” kanë ndryshuar krahasuar me javën e kaluar. Bashkëpunimi i Ghetto Geasy dhe Flori Mumajesi, i cili qëndronte në vendin e dytë, këtë javë është mposhtur nga bashkëpunimi i Tayna dhe Don Phenom, “Columbiana”. Falë votave të fansave, kjo këngë është ngjitur me 4 pozicione nga java e kaluar.

Ajo që ka shkaktuar tërmet këtë javë në klasifikim është kënga e dyshes së talentuar, Ardian Bujupi dhe Xhensila, “Cika Cika”. Ky bashkëpunim është ngjitur me 10 pozicione nga java e kaluar, duke zënë vendin e tre këngëve më të dëgjuara të javës.