Alban Skënderaj goditi në shenjë shtatorin e vitit të kaluar, duke publikuar projektin me titull “Lea”, i cili rezultoi tepër i pëlqyer për publikun shqiptar. Pavarësisht se kjo këngë u kritikua për mesazhin që përcillte, duke qënë se në videoklip shfaqen dy vajza duke u puthur, këto kritika duket se e kanë bërë akoma më të fortë këtë këngë.

Prej 30 javësh, “Lea” ka qëndruar në listë por javën e kaluar ajo mbeti jashtë saj, për t’u rikthyer sërish këtë javë. Duket se fansat nuk janë stepur aspak për ta risjellë këtë këngë sërish në klasifikim, duke e renditur në vendin e 24-t.

Edhe pse ka ecur suksesshëm me këtë këngë, Albani ka mbetur jashtë grupit të këngëve më jetëgjatë në klasifikim dhe kjo për shkak se bashkëpunimi i tij me Dalool, “1000 Premtime” është larguar nga “Top Awards”. Kjo këngë, e cila javën e kaluar shënoi plot 108 javë në klasifikim, këtë javë nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të qëndruar në listë. Nëse edhe kjo këngë do të ketë fatin e “Lea”, kjo mbetet për t’u parë javën e ardhshme pasi varet nga votat e publikut.

Nga ana tjetër, Albani vazhdon të jetë në klasifikim edhe me 4 projekte të tjera muzikore, “Faleminderit”, “Jetë”, “Nentor, 26” dhe “Plage ne gjysmeshpirt”.