Me talentin e Lauresha Ramadanit jemi njohur në sezonin e tretë të “The Voice Of Albania”, e cila që nga ai moment nuk i është ndarë muzikës.

Kësaj radhe, Lauresha ka bashkuar fuqitë me kompozitorin e njohur Genti Myftaraj, i cili momentalisht është duke shijuar eksperiencën si “vocal coach” në “The Voice Kids”, në skuadrën e Aleksandër dhe Renis Gjokës.

“Kam me t’dasht”, titullohet balada e dyshes së talentuar, e cila është publikuar në treg pikërisht ditën e të dashuruarve, më 14 Shkurt.

Që në javën e parë të publikimit, ky projekt muzikor është bërë menjëherë pjesë e “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin e 50-të.

E kontaktuar nga “Top Awards”, Lauresha ka shpjeguar si lindi ideja për këtë projekt dhe detaje të tjera rreth tij.

TA: Si lindi ideja për këtë bashkëpunim?

Lauresha: Genti më shkruan dhe me thotë që kam bërë një baladë dhe duhet ta dëgjosh. Kur e dëgjova, jo vetëm që nuk u diskutua që kjo kënge është e imja por nuk mund të mos i propozoja Gentit të ishte pjesë e klipit pasi ajo këngë kishte lindur pikërisht nga ai, ku çdo notë ishte aq shpirtërore.

TA: Pse zgjodhet pikërisht 14 shkurtin për publikimin e këtij projekti muzikor?

Lauresha: Unë besoj te dashuria, njerëzit kanë nevojë të falin dashuri dhe të marrin sigurisht. Ishte dita e duhur për të dhënë ketë mesazh.

TA: Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?

Lauresha: Për muzikën Genti Myftaraj ndërsa për tekstin Kejvin Kalo bashkë me mua.

TA: Pse vendosët të vinit me një klip kaq të thjeshtë?

Lauresha: Për ti dhënë hapësirë çdo note, çdo fjalë… Mos harroj që është bërë në një kohë rekord. Brenda 5 orëve është bërë gjithçka. Kam qëne unë, ajo që doja t’i jepja jetë vizualisht projektit pasi Genti këmbëngulte për “lyrics” (me tekst). Nuk jam bërë aspak pishman.

TA: Si është pritur ky projekt nga publiku shqiptar?

Lauresha: Projekti është pritur mjaft mirë, reagimet kanë qënë të shpejta që në ditën e parë. Komentet e shumta në “Youtube” si dhe ato në rrjetet sociale, më kanë bërë të lumtur.

TA: Që në javën e parë të publikimit, jeni bërë pjesë e “The Top List”, si e komentoni këtë sukses?

Lauresha: Sukses pasi njerëzit më kanë uruar masivisht për këtë hyrje të shpejtë. Faleminderit të gjithë atyre që më kanë votuar, faleminderit “Top Awards”.

TA: Këtë javë renditeni në vendin e 50-të, cili mendoni se do të jetë pozicionimi juaj javën e ardhshme?

Lauresha: Mbetet për t’u parë…emocionet kanë filluar…

TA: Një mesazh për të gjithë fansat tuaj…

Lauresha: Shpresoj të rritemi së bashku, të bëhemi më shumë dita- ditës, duke i premtuar që nuk do t’i zhgënjej asnjëherë.