menu

Kush është MIRUD, hyrja më e re e “The Top List”?


Ora: 10:22 Datë: 05/08/2017

Durim Morina, i njohur me emrin e artit MIRUD, është një këngëtar, i cili ka nisur të këndojë dhe të shkruajë këngë që në moshë të vogël. Durimi ka studiuar kanto dhe është gjithashtu instrumentist, pasi luan piano dhe kitare.

I lindur në Prizren, Durimi e ka treguar interesin e tij për artet që kur ishte ende i vogël. Edhe pse në shkollën fillore, u përpoq disa herë t’i futej muzikës, në një komunikim me “Top Awards”, Durimi ka treguar se nuk arriti të merrej më muzikë pasi babai i tij nuk e dëshironte aspak këtë profesion.

Por pavarësisht kësaj, në moshën 13-vjecare, MIRUD u fut në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni”, ku filloi të studionte teori muzike. Në këtë moshë, Durimi tregoi një interes të vecantë në opera, për të cilën studioi 8 vite rresht. Pas diplomimit, këngëtari u zhvendos në Amerikë ku ka vijuar të merret me muzikë, duke kënduar në disa opera në New York.

MIRUD ka vetëm një javë që ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor të titulluar “Ti Me Harro”. Falë sugjerime nga publiku, kjo këngë është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “Top Awards”, duke u renditur në vendin e 48-të.