Inis Neziri është një nga hyrjet më të reja të kësaj javë në “The Top List”. “E theve” titullohet kjo prurje e re muzikore e këngëtares, e cila ka sjellë për herë të parë një këngë të shoqëruar me videoklip. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut, ky projekt muzikor është bërë pjesë e klasifikimit, duke u renditur në vendin e 100-të.

Po kush është Inis Neziri?

Inis është vetëm 18-vjeç por me një talent të veçantë në muzikë. Ajo ka nisur të këndojë që në moshë të vogël por u bë e njohur për publikun shqiptar në moshën 12-vjeçare, falë pjesëmarrjes në spektaklin “Gjeniu i Vogël”, në të cilin u shpall fituese e çmimit të parë. Pas këtij suksesi, në moshën 16-vjeçari, Inis merr pjesë në Festivalin e RTSH-së, ku shpallet fituese e çmimit të tretë me këngën, “Piedestal”.

Por suksesi i saj nuk është vetëm brenda kufijve shqiptar por dhe jashtë saj pasi në gushtin e vitit të kaluar, ajo ka fituar çmimin e dytë në Festivalin Internacional “Tra la la” në Maqedoni. Një tjetër sukses jashtë kufijve shqiptar, është edhe çmimii fituar në Rumani në Festivalin Ndërkombëtar “Cerbul de Aur”, ku rrëmbeu çmimin e madh “Dreri i Arte”. Duket se Rumania ka një pëlqim të madh për 18-vjeçaren pasi Inis ka qënë e ftuar speciale në selektimin e”Nacional Eurovision 2019″.

Edhe pse ka publikuar disa projekte muzikore, duke u shpallur dhe fituese e çmimeve, si ai i “Best Duet” në Këngën Magjike, Inis ka publikuar projektin e saj të parë të shoqëruar me një videoklip, i cili nuk është pjesë e ndonjë festivali. Me një zë potent, artistja më e re e tregut muzikor shqiptar ëshët e vendosur që ëndrrën e saj ta vazhdojë më tej, duke punuar në mënyrë profesionale, duke mos prodhuar muzikë komerciale, pavarësisht se publiku e preferon më shumë.

Me teksin dhe muzikën e “E theve” është kujdesur vetë Inis ndërsa orkestrimi është bërë nga prindërit e saj, Yla dhe Arben Neziri, të cilët kanë përfunduar Akademinë e Arteve.

Nëse dëshironi të zbuloni me shumë për artistët shqiptarë, mjafton të klikoni në kategorinë “Artiste”, në faqen zyrtare të “Top Awards”.