Nuk ka shumë kohë që Alban Skënderaj publikoi këngën e tij “Jetë” por thuajse një muaj më vonë, artisti ka vendosur të thotë faleminderit pasi kështu titullohet kënga e tij më e re.

Një tjetër këngë dashurie është “Faleminderit”, tekstin e së cilës e ka shkruar vetë artisti. Në këtë këngë falenderimi i shkon një dashurie të humbur, për çdo frymëmarrje dhe çast të dhuruar në këtë marrëdhënie.

Me një falenderim të dhimbshëm por shumë domethënës, vjen teksti i kësaj kënge, në të cilën duket se e gjejnë veten shumë fansa të Albanit dhe kjo vihet re në komentet e rrjeteve sociale.

Në këtë projekt muzikor, Albani ka ardhur sërish romantik, duke u rikthyer pas në kohë, në Albanin e dikurshëm.

Përmes kësaj kënge, Albani ka falenderuar edhe bashkëpunëtorët e tij besnikë si Lorenc Aliaj për produksionin, Eligit Dodën për regjistrimin e vokalit dhe Miranda Dupin për imazhin. Por Albani nuk mund të rrinte pa falenderuar edhe fansat e tij për dashurinë dhe mbështetjen pa kompromis që i dhurojnë. Falë sugjermieve të shumta nga ana e publikut, kjo këngë pozicionohet në vendin e 14-të, një pozicion ky mjaft i mirë për një hyrje të re.

Artisti i dashur i publikut shqiptar vazhdon të jetë në klasifikim edhe me katër projekte të tjera muzikore si “Nentor,26”, “Jetë”, “Lea” dhe “1000 Premtime”, të cilat renditen përkatësisht në vendin e 36-të, 44-t, 79-të dhe 91-të.