menu

“Krimineli Zemres”, një tjetër histori personale e Fifit


Ora: 21:35 Datë: 17/11/2018

Filloreta Raçi, e njohur në fushën e artit me emrin Fifi, ka rrëmbyer sërish zemrat e publikut shqiptar dhe kësaj radhe me një baladë shumë të ndjerë. Artistja e njohur ka vetëm pak ditë që ka nxjerrë këtë prurje të re por është shndërruar menjëherë në qendrën e vëmendjes. “Krimineli Zemres”, titullohet ky projekt muzikor, i cili tregon një tjetër histori personale të këngëtares së talentuar.

Falë sugjermeve të shumta nga ana e publikut, kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke u renditur në vendin e 20-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në listë. E kontaktuar nga “Top Awards”, Fifi, e cila momentalisht po shijon eksperiencën e saj në programin e famshëm “Shiko Kush Luan”, ka treguar më shumë sa i përket kësaj kënge si dhe ka zbuluar projektin e radhës.

TA: Pse e ke quajtur “Krimineli Zemres”? Çfarë i ka bërë zemrës?

Fifi: E kam quajtur “Krimineli Zemres” në mënyrë metaforike, gjasme ma shkatrrove, ma nxive por me idenë që gjithësesi prap e dua dhe po ja lejoj ta bëj…

TA: A tregon kjo këngë një histori personale, duke qënë se teksti është shkruar nga ty?

Fifi: Të gjitha këngët e mia janë personale dhe gjithmonë do jenë. Janë të shkëputura copëza nga ndjenja që mund të kem patur e mund të kem për momentin...

TA: Bën muzikë që ta do shpirti apo mundohesh t’i përshtatesh preferencave të publikut?

Fifi: Çdo herë jam munduar të jem publik vete në rradhë të parë dhe normalisht që kur e bëj muzikën e bëj si e ndjej dhe s’ka të bëj fare me idenë që duhet me patjetër të përshtatem. Unë thjesht bëj atë që më vjen .

TA: Lundron në disa rryma muzikore, ti kë preferon më shumë?

Fifi: Nuk kam rrymë të preferuar, thjesht dashuroj çdo lloj tingull muzikor që më ngjeth.

TA: Komente mjaft pozitive ka patur kjo këngë, e prisnit këtë reagim?

Fifi: Besoj shumë tek gjëja që bëj dhe sipas pritshmërive ashtu po ecën kënga.

TA: Përsëri në “The Top List” por e renditur mjaft mirë në “Top 20”, mendon se kjo këngë do kapë “Top 5”?

Fifi: Po ia lëmë “Top Awards” të vendosi për rradhitjen…

TA: Si e përshkruan eksperiencën tendë në “Shiko kush luan”? Mos ndoshta po mendon t’ja zësh vendin Luanës?

Fifi: Unë jam artiste, tekstshkruese, këngëtare plus me shkollë regjisore teatri, më mjaftojnë këto që kam e bëj. Ai vend është i Luanës dhe e bën më së miri plus nuk mendoj që do mund të bëja, atë që bën ajo. Moderimi i përket asaj, mua mikrofoni dhe lapsi…

TA: . Do kemi projekte të reja deri në fundvit?

Fifi: Po, patjetër që do kem. Javën që vjen do jem pjesë e Kënga Magjike me një super dupa bashkëpunim. Kjo kënga nuk do ketë mundësinë të futet në “The Top List” ngaqë është pjesë e festivalit por uroj të marrrë vëmendjen që e meriton.