Një tjetër javë e suksesshme për projektin më të ri të Alban Skënderaj, “Nëntor, 26”. Duket se shumë fansa kanë gjetur veten në tekstin e kësaj kënge kaq të veçantë dhe si pasojë votat e tyre nuk e kanë mposhtur Albanin, duke bërë që për të dytën javë rresht të zërë vendin e parë.

Edhe pse është e re në tregun muzikor shqiptar, pasi kjo këngë është publikuar javën e kaluar, publiku shqiptar menjëherë e ka shndërruar si këngën më të dëgjuar të momentit dhe këtë e vërtetojnë më së miri votat e tyre.

Treshja e këngëve më të nxehta të listës thuajse nuk ndryshon ose më saktë kemi një ndryshim brenda vetes, pasi Besa dhe Kejsi Tola janë përballuar për vendin e dytë. Ndërkohë që javën e parë “Amor” e Besa pozicionohej në vendin e tretë, këtë javë, votat e publikut e kanë ngjitur një pozicion më lartë, duke u pozicionuar në vendin e dytë.

Ndërsa fansat e Kejsit dhe të këngës “U Rritem”, duket se nuk kanë dhënë maksimunin e tyre këtë javë, duke bërë kështu që kënga të humbasë një pozicion nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e tretë.

Sa i përket vendit të 4-t dhe të 5-të, ato nuk kanë pësuar asnjë ndryshim nga java e kaluar. “Kush?” e Butrint Imerit mban vendin e 4-t ndërsa “Merri Krejt” e Kidës ruan vendin e 5-të.

Katër projekte të reja i janë shtuar listës zyrtare të “Top Awards” këtë javë, duke lënë kështu të nënkuptohet se artistët shqiptarë vazhdojnë të prodhojnë muzikë për fansat e tyre.