Një tjetër javë e suksesshme për treshen e talentuar Lyrical Son, Mc Kresha dhe Ledri Vula pasi projekti i tyre muzikor, “Menemadhe” vazhdon të jetë në krye të listës edhe këtë javë.

Për tre javë rresht kjo këngë është shpallur më e dëgjuara dhe e votuara e publikut shqiptar, duke treguar qartë se treshja ka goditur sërish në shenjë, pas bashkëpunimit të tyre të parë, “Hip Hop”.

Pavarësisht se kreu ngelet i njëjti, konkurrenca është shtuar pasi Elvana Gjata i është afruar shumë kreut me projektin e saj “Tavolina e merzise”, e cila është ngjitur me një pozicion nga java e kaluar, duke u renditur në vendin e dytë.

Një javë e suksesshme ka rezultuar edhe për Gjon’s tears me projektin e tij “Babi”, i cili këtë javë është ngjitur me dy pozicione, duke u futur në zonën e nxehtë të klasifikimit dhe duke iu afruar kreut. Kujtojmë që Gjoni ka kryesuar ” The Top List” rreth 5 javë më parë por nëse ai do i rikthehet këtij suksesi, kjo mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.

Një super sukses këtë javë ka korrur bashkëpunimi i Young Zerka dhe Jumpa, “Lule Bore”, i cili është ngjitur me 90 pozicione nga java e kaluar, duke u futur menjëherë në vendin e 4-t.

Kjo javë ka sjellë 7 projekte të reja muzikore në klasifikim, duke lënë jashtë disa prej këngëve më jetëgjatë në klasifikim.