Tre vendet e para duket se kanë krijuar një mur të fortë, duke mos lejuar këngët e tjera të zënë vendet e tyre. Gjatë kësaj javë ashtu si edhe javën e kaluar, tre vendet e para mbeten të njëjta por kemi një ndryshim brenda vetes.

Ndërkohë që kreu vazhdon t’i përkasë bashkëpunimit të Tayna dhe Don Phenom, “Columbiana” për të 5-tën javë rresht, vendin e dytë e ka zënë projekti tjetër i Tayna, “Shqipe”, duke zhvendosur kështu bashkëpunimin e Elvana Gjatës, Ledri Vulës dhe John Shahut, “Mike”, në vendin e tretë.

Sa i përket hyrjeve të reja, 8 të tilla i janë shtuar klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, ku tre prej këtyre projekteve muzikore janë publikuar nga artistë të rinjë.

Disa prej hyrjeve të reja kanë mundur të renditen mjaft mirë në listë dhe kënga e pozicionuar më mirë nga hyrjet e reja është projekti më i ri i Samantës, “Kush jam”.

Kënga që është ngjitur me më shumë pozicione këtë javë është projekti i Adriano-s, “Nale”, një këngë që ka 5 javë që është pjesë e “The Top List”. Falë mbështetjes së fansave, ky projekt muzikor është ngjitur me 27 pozicione nga java e kaluar, duke zënë vendin e 30-të.