Klodiana Vata është një nga këngëtaret më të reja të muzikës shqiptare. Edhe pse vetëm 15-vjeç, ajo ka nisur të merret me muzikë që në moshën 6-vjeçare, e cila falë talentit të saj, është vlerësuar dhe me disa çmime.

Pavarësisht se ka kohë që muzika është pjesë e saj, vetëm 5 muaj më parë ajo ka publikuar projektin e saj të parë muzikor si e rritur. “Shi Lodre”, titullohet ky projekt muzikor, i cili që në javën e parë të publikimit, u bë pjesë e klasifikimit të “The Top List” dhe madje arriti të pozicionohej në vendin e dytë, falë mbështetjes së fansave.

Nisur nga ky sukses i këngës, Klodiana vendosi të vijë me një “remix” të kësaj këngë. Ajo bashkoi fuqitë me Saix, i cili prej vitesh punon pranë Top Albania Radio si Dj dhe Producer. Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Klodiana ka shpjeguar se si lindi ideja për këtë version interesant të këngës dhe cilat janë planet e saj në të ardhmen.

TA: Si lindi bashkëpunimi juaj me Saix?

Klodiana Vata: “Kënga “Shi Lodre” ka pasur shumë sukses që në daljen e saj dhe si e tillë ka arritur të jetë e dyta në “Top Awards” dhe të cilësohet si një ndër këngët më të kërkuara në radio. Me Saix jemi njohur rastësisht dhe ishte ideja e tij që “Shi Lodre” të vinte në versionin “remix”.

TA: Pse vendosët ta “remix-oni” këtë projekt muzikor?

Klodiana Vata: Për mua fansat janë mbështetja më e madhe dhe normalisht që kisha kërkesa të shumta që kënga të vinte në versione të ndryshme. Kur m’u ofrua kjo mundësi nga Saix, pranova menjëherë pasi doja që njerëzit të kishin mundësi të dëgjonin një version tjetër të “Shi Lodre”.

TA: Ju personalisht preferoni më shumë këngën origjinale apo “remix”?

Klodiana Vata: “Remix-i” është pëlqyer shumë dhe po ecën me të njëjtin ritëm suksesi ashtu si versioni origjinal kështu që nuk di t’i ndaj.

TA: Që pas publikimit të “Shi Lodre”, keni patur ndonjë ofertë nga artistët shqiptarë për ndonjë bashkëpunim?

Klodiana Vata: Që pas publikimit të këngës ofertat kanë qënë të shumta. Momentalisht po punoj për tre projekte që pres ti publikoj së shpejti.

TA: Shumë artistë performojnë nëpër klube nate të ndryshme, ti e ke menduar ta bësh këtë punë?

Klodiana Vata: Jeta e natës dhe klubet normalisht që janë pjesë e jetës artistike dhe shpesh jam pjesë e tyre por që gjithmonë preferoj të jem selektive ndaj tyre.

TA: Prej 15 javësh ndodhesh në “The Top List”, si ndihesh për këtë?

Klodiana Vata: Të jem pjesë e “The Top List” më ka bërë të ndihem e vlerësuar dhe është një mundësi e artë që i jepet çdo artisti për t’u afirmuar në tregun muzikor. Gjej rastin të falenderoj “Top Channel” për mundësinë që më ka dhënë.

TA: Po punon për ndonjë projekt të ri momentalisht?

Klodiana Vata: Siç thashë edhe më lart, së shpejti do të vi me projekte të reja që do të jenë ndryshe nga “Shi Lodre”.