Pavarësisht se kurrë nuk është bërë një analizë se kush prodhon muzikë më të bukur, meshkujt apo femrat, një gjë është e sigurt në tregun muzikor shqiptar ekzistojnë shumë artiste dhe artistë. Vihet re se gjatë këtij viti, të shumta kanë qënë bashkëpunimet muzikore që kanë arritur të renditen në vendin e parë, përmendim këtu bashkëpunimin e Brunos, Flori Mumajesit dhe Klajd Harunit me “Nina”, Butrint Imeri, Kida dhe Ledri Vula me “Dale”, Elvana Gjata dhe Yll Limani me “E di” dhe Dafina Zeqiri dhe Lyrical Son me “Llafe Llafe”.

Nga një analizë e bërë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira të muzikës moderne shqiptare në “Top Awards”, u arrit në përfundimin se një përqindje më e lartë i takon meshkujve, përkatësisht “The Top List” ka 51 meshkuj dhe 32 femra. Sipas këtij përfundimi, duket se meshkujt janë ata që e gjejnë veten më shumë tek muzika. Ky është në fakt viti i tretë rresht që meshkujt janë më të shumtë në numër në krahasim me femra për sa i përket listës së këngëve të “Top Awards”.

Pavarësisht këtij rezultati, femrat shqiptare ia kanë arritur të ecin tepër suksesshëm në muzikë dhe të përballojnë konkurrencën e madhe që ndodhet në treg. Edhe pse ky klasifikim mbizotërohet nga artistët meshkuj, një gjë është e sigurt, mes të gjithë këtyre artistëve ekziston një marrëdhënie shumë e mirë dhe të gjithë punojnë fort që të transmetojnë tek publiku shqiptar, më të mirën sa i përket muzikës.