Që Kida është shndërruar në një nga këngëtaret më të kërkuara të momentit kjo nuk duhet diskutuar aspak pasi vëmë re që artistja preferohet shumë nga publiku shqiptar.

Bukuroshja e talentuar është pjesë e klasifikimit të “The Top List” me 6 projekte muzikore, një numër ky që vërtet duhet admiruar. Kida madje për këtë javë mban kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare me projektin e saj më të fundit muzikor, “Ti”.

Ndërkohë që këngët e saj kanë rezultuar shumë të suksesshme, duket se një ndër këngët me të cilën fansat nuk ngopen së dëgjuari është “Anderr”, e publikuar marsin e vitit të kaluar.

Falë këtij projekti muzikor, Kida ka mundur të futet në klubin e këngëve që kanë bërë një vit në klasifikim. Deri tani pjesë e këtij grupi është “Lejla” e Elavana Gjatës, Capital T dhe 2po2 si dhe “Stoli i Trendafilave”, “Dikur” e Alban Skënderaj.

“Anderr” është bërë pjesë e klasifikimit që në javën e parë të publikimit dhe atë javë është renditur në vendin e 33-të. Por që në javën e 4-t të klasifikimit, Kida, falë votave të publikut, arriti të renditej në 4 këngët më të dëgjuara të momentit.

Edhe pse kanë kaluar plot 53 javë që nga koha kur “Anderr” është bërë pjesë e listës, kjo këngë ende vazhdon të renditet në pozicionet më të mira. Gjatë kësaj jave, ky projekt muzikor pozicionohet në vendin e 15-të.

Kida pritet të performojë në natën e parë “live” të “The Voice Kids”, e cila do të trasmetohet më 23 mars në ekranin e Top Channel.