Jehona Ponari është një nga artistet më të reja që i bashkëngjitet listës së “Top Awards”. Jehona është motra e Fjoralba Ponarit, një emër jo pak i dëgjuar në botën e medias dhe televizionit. Por kush është Jehona si artiste? Jehonën mund t’a kujtojmë me pjesëmarrjen e saj në “The Voice of Albania 6” kur ishte ende 16 vjeçe.

E ftuar së fundmi në një intervistë për promovimin e këngës së saj “Entropy”, Jehona ka treguar më shumë detaje për jetën dhe karrierën e saj, si dhe për këtë projekt që i është bashkuar këtë javë “The Top List”. E pyetur se sa kohë kishte që e mendonte këtë, këngëtarja u përgjigj:

“Unë kisha rreth një vit që doja t’a bëja këtë këngë, por erdhi si projekt i përbashkët me një mik, i ndarë në dy këngë. Një është kënga ime “Entropy” dhe tjetra është “Eternity”. Në fillim nuk e kisha idenë e saktë se çfarë do bëja apo si do të shkonte, sepse jam dhe pak tip në transformim të vazhdueshëm. Dhe ky transformim i vazhdueshëm më stepte pak sepse kapesha tek diçka që më pëlqente shumë, pastaj bëhesha si ‘outgrow’ nga ajo gjë dhe kaloja te diçka tjetër që më ngjiste akoma më shumë, por që e kishte pikënisjen te ajo gjëja e mëparshme…”

Këngëtarja u pyet dhe pse vendosi që ta quajë këngën e saj “Entropy”.

“Ky është një term që përdoret në shumë fusha…kjo është një këngë dashurie. Ideali im është dashuria dhe thjesht kam treguar që pavarësisht kësaj entropie, këtij kaosi, do vazhdoj të mbahem tek ajo që vërtetë e dua shumë”.

Por cilat kanë qenë komentet që Jehona ka marrë deri tani për këngën e saj?

“Në fakt nuk kam marrë ndonjë koment negativ. Unë mendoj që kur dikush bën diçka që e ndjen me të vërtetë shumë dhe e gjen veten në atë gjë, mendoj se sadopak do vlerësohet, kur njeriu është i vërtetë me veten. Mendoj se kur gjëja është e pastër dhe e sinqertë, do të gjejë degëzime dhe njerëzit do të kapen në to edhe pse mund të mos kapin thelbin e saj…”

Pse vendosi ajo të ndryshonte imazhin e saj që nga kompeticioni ku ka marrë pjesë, “The Voice of Albania 6”?

“Atëherë isha ende e vogël, 16 vjeçe…Nuk e dija ende se çfarë zhaneri doja, akoma nuk e di…Thjesht bëra një pauzë goxha të gjatë për një periudhë kohore, të paktën e gjeta guximin.”

Ndërkohë Jehona është gjithashtu studente në degën e ‘art-design’-it. Cila i pëlqen më shumë, muzika apo ‘art-design’-i?

“Mendoj se ato janë në marrëdhënie me njëra-tjetrën dhe më ndihmojnë të shprehem në mënyra të ndryshme. Para se të isha duke studiuar për ‘art-design’, isha për regji filmi për një vit në Akademinë e Arteve. Pastaj bëra një vit pushim nga pavendosmëria ime në atë kohë dhe aty lindi shoqëria me Edinjo Jahjan, një mikun tim që ka xhiruar dhe videoklipin “Entropy”. Ne gjetëm gjuhën e përbashkët dhe ishte një marrëdhënie shumë e mirë.”

Momentalisht kënga “Entropy” renditet në vend të 100-të të klasifikimit në “The Top List”.