Programi maratonë ditën e fundit të vitit, rikthehet sërish në Top Albania Radio. Ashtu siç është traditë tanimë, do të njihemi me këngët më të mira të vitit 2021. Por ajo që neve na intereson më shumë (dhe e dimë që edhe ju), janë këngët shqiptare.

Një vit i suksesshëm ky padyshim për industrinë e muzikës. Artistët më në zë kanë sjellë projekte të reja të cilat janë përqafuar nga publiku shqiptar në maksimum. Bashkëpunime, projekte solo, albume, këtë vit i pamë të gjitha dhe mund të themi me plot gojë se viti i ri 2022 që do të vijë, nuk do të na surprizojë fare.

Edhe pse skena shqiptare ka qenë më e vakët me koncerte sporadike dhe në orare dite jo nate, publikimet nuk kanë qenë të pakta. Elvana Gjata, Elhaida Dani, Dafina Zeqiri, Arilena u kthyen me albume dhe koncerte të mëdha live bashkë me to edhe artisti më i suksesshëm shqiptar i listës vitin e kaluar Yll Limani, ngelen ende në më të preferuarit. Por dhe surprizat nga artistët e rinj nuk munguan në vitin 2021.

Mund të themi që ndoshta ky vit ka qenë mjaft produktivë dhe për këta të fundit. Sardi, Albu, Don Xhoni, Otto, janë vetëm disa nga emrat që ishin tejet aktiv në 2021 duke u futur ‘pa mëshirë’ në klasifikimin e “The Top List”. E dimë që jeni kuriozë për të zbuluar më shumë, për këtë arsye nuk po ju lëmë të prisni shumë gjatë. Në këtë playlist, do të njiheni me 50 këngët shqiptare më të mira të këtij viti që po lëmë pas dalëngadalë, ato që na shoqëruan në çdo hap, dimër e verë, të trishtuar apo të lumtur… Shijojini!