Pas një pauze muzikore, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare, Jonida Maliqi, është rikthyer me një projekt muzikor, për të cilin ka dhënë një copëz të shpirtit të saj, siç ajo vetë shprehet.

“N’Erresire” mban titullin prurja me e re e artistes, të cilës i është dashur të punojë thuajse një vit për të sjellë këtë projekt, i cili që në javën e parë të publikimit është bërë pjesë e klasifikmit të “The Top List”.

E kontaktuar nga “Top Awards”, Jonida ka shpjeguar më shumë sa i përket këtij projekti muzikor si edhe planet e saj për të ardhmen.

Top Awards: Jeni rikthyer pas dy vitesh me një projekt muzikor, pse i keni munguar për kaq shumë tregut muzikor?

Jonida Maliqi: Kanë qënë shumë arsye duke qënë një e fokusuar te familja mbi të gjitha.

Top Awards: Si është pritur nga publiku ky rikthim? Po ju vetë si e keni përjetuar? Të kishte munguar?

Jonida: Në mënyrën më të mirë të mundshme pasi më në fund fokusi nuk ishte te imazhi por te emocioni që depërton kënga. Unë kam dhënë një copëz shpirti në këtë këngë dhe jam e lumtur që e ndaj me publikun. Më kishte munguar tej mase dhe jam e lumtur për këtë rikthim.

TA: Sa kohë të është dashur ta finalizoni këtë projekt muzikor, pra që nga nota e parë dhe deri tek pika e fundit?

Jonida: Pothuajse një vit të plotë pasi proçesi ka qënë shumë inspirues dhe doja të rikthehesha denjësisht në publik. Shfrytëzoj rastin për të falenderuar të gjithë bashkëpunëtorët e mi për durimin dhe punën e tyre.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Jonida: Muzikën e krijuam bashkarisht me Briz Musaraj “Tull Productions” pas 1001 variantesh. Ku secili prej nesh ndërtoi këtë material muzikor. Teksti është realizuar nga Olti Curri, i cili gjithnjë godet në shenjë dhe arrin të depërtojë me vargjet e tij te çdokush prej nesh. Skenarin dhe regjinë e videos ia besova mikut tim Donald Braho, relativisht i ri në moshë por super i talentuar që ka punuar fort së bashku me “Pro video”, të cilët realizuan më së miri këtë projekt kaq të dashur për mua.

TA: Për çfarë flet “N’Errësirë” dhe pse zgjodhet këtë titull?

Jonida: Në këngë është një moment i vetëm ku unë nuk këndoj por citoj këto vargje: “N’errësirë të gjithë do të genjejne…”. Pikërisht këtu nënkuptohet idea e gjithë fabulës. Eshtë njerëzore të gjendemi në situata të errëta jetësore por me forcë dhe dashuri, çdokush prej nesh ia del ndaj gjithçka në fund zbardhet dhe përfundon me “happy end” (fund të lumtur).

TA: Do na duhet të presim shumë për projektin e ardhshëm?

Jonida: Uroj që jo sepse vërtet ndihem e frymëzuar dhe pasioni më i madh për mua është të kënduarit përpos gjithçkaje që bëj në përditshmërinë time. Muzika për mua është terapi, është ndjenjë, është forcë.

TA: Çfarë do të thotë për ty të jesh pjesë e klasifikimit të “The Top List” që në javën e parë të publikimit të këngës së re?

Jonida: Emocion i madh, nuk ma merrte mendja sepse sot këngë të tilla janë të vështira për t’u perceptuar nga çdokush por mesa duket kur shpirti ngjizet me muzikën, prek çdokend. Ju faleminderit të gjithëve për suportin.

TA: Një mesazh dhe një premtim për të gjithë mbështetësit e muzikës tende…

Jonida: Askush prej nesh nuk e di se sa do të jetojë, ndaj shijoni gjithçka, merrni energji të mirë pranë njerëzve që ju rrethojnë dhe duajeni veten fort sepse vetëm në këtë mënyrë do të jeni pozitive dhe gjërat do ju shkojnë mbarë.