Ardit Çuni dhe Vesa Smolica kanë bashkuar fuqitë për të sjellë një projekt mjaft veror, “Jena Na”, duke bërë që temperaturat e kësaj vere të ngrihen akoma më shumë.

Me Ardit Çunin jemi njohur në “Top Fest 9”, ku këngëtari bëri prezantimin e tij të parë zyrtar në tregun muzikor shqiptar me këngën e titulluar “Po Te Jesh I Dashuruar”. Pas “Top Festit”, Arditi, i cili është bërë pjesë e shtëpisë diskografike britaniko-shqiptare “Sebastian Production”, pati fatin të bëhej pjesë e platformës më të madhe në botë “Vevo”. Në 2013, Arditi rikthehet përsëri në “Top Fest” në një duet më një këngëtare britanike, një këngë që u pëlqye së tepërmi në atë kohë.

Duket se përveç muzikës, një tjetër talent i Arditi është kërcimi dhe moderimi, i cili ka drejtuar disa programe të ndryshme televizive. Në 2015 ai vjen me i sigurt se asnjëhere me një produksion të fituesit të Eurovision 2012 (Loreen/Euphoria), i cili menjëherë bëri bujë anembanë trevave shqiptare nëpër media të shkruara dhe vizive më këngën e titulluar “Let’s Go”.

Ndërkohë këtë verë Arditi vendos të bashkojë fuqitë me këngëtaren nga Kosova, Vesa Smolica, duke sjellë projekin muzikor që po korr sukses në tregun shqiptar, edhe pse ka pak javë që është publikuar.

Ndërsa me talentin Vesa Smolicës jemi njohur në “The Voice of Albania 3”, e cila u spikat për zërin e saj të veçantë. Pas suksesit “SixtyNine”, një këngë e cila ka qënë pjesë e “The Top List”, Vesa rikthehet më në formë se kurrë me “Jena Na” në bashkëpunim me Ardit Çunin.

“Jena NA” është kënga e vetme e cila ka mundur të ngjitet me 13 pozicione plus në klasifikimin e 20 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke u pozicionuar në vendin e 7-ë. E kontaktuar nga “Top Awards” në lidhje me këtë sukses, Vesa ka zbuluar gjithashtu disa detaje nga ky projekt muzikor.

TA: A është ky bashkëpunimi yt i parë? Si lindi ideja për këtë bashkëpunim?
Vesa Smolica: Eshtë bashkëpunimi i parë me Arditin por nëse flasim për bashkëpunime me artistë të tjerë i pari ka qënë me Indrit Mesitin dhe në projektet e tjera me radhë me artistët si Artan Bakija dhe Shkelzen Doli ,Cyanide ..që po t’i analizosh këto emra të bashkëpunimeve janë shumë të rëndësishëm dhe me vlerë në tregun tonë muzikor. Ideja e këngës së fundit erdhi krejt natyrshëm. Unë dhe Arditi ka kohë që njihemi dhe mbajmë kontakte apo edhe takohemi në koncerte, emisione dhe në një ndër këto evente ai më tregoi për projektet e tij dhe dëgjova disa “demo” të këngëve ndër të cilat ishte kënga “Jena Na”. Më pëlqeu shumë por nuk i thashë se unë duhet të jem këtu, ishte ai që të nesërmen më dërgoi gjithë këngën dhe më tha nëse e gjeja veten aty atëhere të shkruaja tekstin për vete dhe të bëja vijën melodike ashtu siç unë dija.

TA: Një projekt që dëgjohet dhe kërcehet tepër së fundmi, e kishit pritur këtë sukses? Ku qëndron çelësi i këtij suksesi sipas mendimit tënd?
Vesa: Secili artist që investon në karrierën e tij muzikore tenton të lërë gjurmë ose të mbahet mend për diçka, të pëlqehet po ashtu por nganjëherë nuk qëllojme në shënjestër, gjë që na e bën të jemi jashtë vëmendjes së publikut. Me këngën e fundit e prisja se është një zhaner muzikor që pëlqehet kohëve të fundit, të jep energji pozitive dhe është verore, duke ia bashkangjitur këtu edhe talentin tonë sa i përket ideve dhe vokalit.

TA: Cilat janë planet tuaja në muzikë pas “Jena Na”?
Vesa: Sigurisht kam menduar përgatitjen e projektit dhe njerezit me të cilët duhet të punoj në projektin e radhës por ende asgjë nuk është gati. Them se çdo herë bëhet më e vështirë për mua rreth përzgjedhjes së këngëve, është rritur përgjegjësia për të lançuar një projekt, duke ditur se publiku pret më shumë se projekti i kaluar por besoj që do të pëlqehet dhe mendoj ta sjell në shtator.

TA: Jeni ngjitur 13 pozicione në “The Top List”, si ndiheni për këtë?
Vesa Smolica: Ngaqë jemi të angazhuar shumë me koncerte, intervista dhe të tjera gjëra rreth promovimit të projektit “Jena Na”, nuk e kishim vënë re por lajmin ma dha Arditi, m’u bë shumë qejfi ngaqë po mundohemi fort për të arritur me mundësitë tona dhe për këtë shfrytëzoj rastin të falenderoj publikun për votat e tyre, ma kanë bërë zemrën mal.
Ardit Çuni: Kisha përjetuar një vlerësim të tillë më parë kur u rendita në “Top20” në Suedi por të vlerësohesh nga publiku yt, nga Top Awards, tashmë një event me përmasa europiane është kënaqësi e dyfishtë dhe të jem i sinqertë më ka motivuar për të punuar më fort. 13 pozicione brenda javës nuk janë pak për një artist të ri në karrierë dhe besoj që ky ka qënë vlerësimi më i madh dhe po e shijoj pafund.

TA: Një mesazh për fansat që ju kanë votuar…
Vesa: Janë ata që na motivojnë për të vazhduar më tej, për të realizuar projekte të tjera, unë ju premtoj se s’do ju zhgënjej asnjëherë, do ju mbaj afër me muzikën time.
Arditi: Ju jeni ata që thyeni rekordet, jeni ata për të cilët këndojmë. Ju falenderoj me zemër dhe shpresoj që gjithmonë t’ju surprizoj me daljet e mia publike.