Risjellja në mendje e këngëve të vjetra dhe kryesisht atyre popullore vazhdon ende të jetë e pranishme në tregun muzikor shqiptar. Të ripërpunuara në stile të ndryshme muzikore, artistët përzgjedhin këngë, të cilat kohë më parë kanë qënë hite dhe njihen nga pjesa më e madhe e publikut.

Kjo javë ka sjellë rreth tre projekte të ripërpunuara dhe jo më kot është quajtur java e “na bashkoi muzika popullore”.

Producenti i njohur Cricket dhe vokalisti Numen kanë publikuar një ripërpunim të këngës, “Ende te dua”, kënduar nga artistja e muzikës popullore, Shyhrete Behluli. Ky prodhim i ri muzikor ka ardhur me një zhaner muzikor krejt ndryshe nga ai origjinali, duke e përshtatur më së miri me kërkesat e publikut. Sugjerimet e shumta nga ana e publikut kanë bërë që kjo këngë të futet në klasifikim që në javën e parë të publikimit, duke u renditur në vendin e 76-të.

Capital T është një ndër këngëtarët e parë që nisi ripërpunimin e këngëve të vjetra. Kujtojmë që versioni modern i këngës “Hatixhe” u shndërrua në një prej projekteve muzikore më të preferuara në atë kohë. Pas këtij suksesi, Kapoja ka zgjedhur një tjetër këngë popullore për ta përpunuar dhe bëhet fjalë për “200 dite”, versioni origjinal i së cilës është kënduar nga TNT. Kjo këngë është futur menjëherë në klasifikim dhe renditet në vendin e 78-të.

Një bashkëpunim befasues është cilësuar ai i Encës dhe Muharrem Ahmetit. Edhe pse i përkasin rrymave të ndryshme muzikore, ata kanë bashkuar fuqitë për projektin muzikor me titull “Hajde”. Pavarësisht se është pritur mirë nga publiku shqiptar, ky i fundit nuk ka marrë sugjerimet e mjaftueshme që kënga të bëhet pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”.

Nga ana tjetër, Luana Vjollca është rikthyer sërish me një “remake” dhe kësaj radhe me artistin e njohur Dani. “Sonte” mban titullin ky bashkëpunim muzikor, me të cilin dyshja ka ardhur mjaft origjinale, duke ruajtur secili prej tyre stilin muzikor përkatës. Duket se Luana po vijon suksesin e këngës “Mi dhe flake mallit tim” në bashkëpunim me Bujar Qamilit, një këngë e cila reziltoi tepër e pëlqyer për publikun shqiptar. Bashkëpunimi i Luanës dhe Danit, “Sonte” nuk ka mundur të futet në “The Top List” dhe duket se shkak është bërë muzika popullore kënduar nga artisti i njohur Dani.