Ndërkohë që kreu i listës nuk ka pësuar shumë ndryshime, shumë këngë të tjera të listës janë votuar më shumë nga publiku shqiptar, duke u ngjitur sa më në majë të listës.

Kënga që është votuar më shumë këtë javë është bashkëpunimi i Boocky Dj dhe Art Abazi, “Ndoshta ke harruar emrin tim”. Ky projekt muzikor, i cili ka qënë gjithashtu pjesë e zonën së nxehtë të listës, këtë javë është ngjitur me 64 pozicione dhe është renditur në vendin e 6-të.

Një tjetër projekt muzikor që ka marrë vëmendjen e publikut këtë javë është “Criminal Immigrant”, bashkëpunimi më i fundit i Mc Kresha dhe Lyrical Son. Falë mbështetjes nga ana e publikut, kënga është pozicionuar në vendin e 54-t, duke u ngjitur me 36 pozicione nga java e kaluar.

Në javën e dytë të hyrjes në listë, Genta Ismajli dhe Fero, janë ngjitur menjëherë me 40 pozicione nga java e kaluar me këngën e tyre “Level Up”. Kujtojmë që kënga debutoi në vendin e 99-të por kjo javë e gjen në vednin e 59-të.

Trimi është një tjetër artist që është votuar shumë këtë javë me kengen “Merri”. Prurja e tij më e re muzikore, teksti i së cilës flet për një dashuri të mbaruar, është ngjitur me 36 pozicione krahasuar me një javë, duke zënë kështu vendin e 64-t.

Ditët e Ledri Vulës si baba po shijohen edhe nga fansat e artistit, pasi fotot e reperit me vajzën tashmë janë kudo në rrjetet sociale. Si pasojë , “Si Baba” e Ledrit, e cil ka 24 javë në klasifikim, vazhdon të jetë e preferuara e publikut shqiptar. Falë votave, kënga ka arritur të pozicionohet në vendin e 53-të.

Alban Skënderaj, i cili gjendet në klasifikim me 4 projekte muzikore në total, këtë javë gjendet në zonën e nxehtë të listës me këngën më të re “Kush ta ndien ty aromën”. Nga ana tjetër kënga “Jolie” është një tjetër këngë që është votuar nga publiku shqiptar, duke e ngjitur me 19 pozicione nga java e kaluar.

Projekti më i fundit i Klodiana Vatës, “Bosh”, e cila ka tre javë në listë vazhdon të dëgjohet dhe votohet pafund nga publikut. Mbështetja e fansave e ka poziconuar artisten në vendin e 13-të, duke e ngjitur me 18 pozicione nga java e kaluar.

“Ndoshta” e Cricket dhe Yll Limanit, e cila a qënë gjithashtu në krye të listës, është një tjetër këngë që këtë javë është ngjitur me shumë pozicione, ekzaktësisht me 16 vende, duke zënë kështu vendin e 14-të.