Prej katër javësh në klasifikimin e “Top Awards”, nuk ka patur asnjë hyrje të re muzikore dhe shkak për këtë është bërë pikërisht Koronavirus. Kjo javë ka sjellë dy hyrje të reja në klasifikim dhe një ndër to është grupi bystandr me këngën e tyre, “I got you in my mind”. Ky projet muzikor ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut, duke u pozicionuar në vendin e 7-të, që në javën e parë në klasifikim.

Po kush janë bystandr? Sa këngë numërojnë në repertorin e tyre? A ka patur ky grup vështirësi gjatë xhirimit të këngës së re?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’i gjeni të gjitha në instervistën ekskluzive që bystandr ka dhënë për “Top Awards”.

TA: Na zbuloni diçka më shumë për Bystandr, kush është dyshja Fatos Shabani dhe Kushtrim Shemsedini? Pse e keni vendosur emrin e grupit, Bystander, cili është kuptimi i tij?

bystandr: Grupi bystandr është themeluar në Ferizaj në vitin 2015-të nga 4 muzikantë fillimisht. Fatos Shabani, Kushtrim Shemsedini, Shkumbin Avdiu dhe Luan Rexhepi. Mirëpo gjatë rrugës Bimi dhe Luani morën rrugën e migrimit dhe kështu mbetëm vetëm ne të dy. Fatosi është arkitekt me profesion ndërsa Kushtrimi zjarrfikës. Muzikën e kemi hobi dhe me muzikë merremi që nga fëmijëria, mirëpo paralelisht me sferat tjera të jetes (familja, studimet, puna). Në muzikë kemi qëndruar si bystanders, performo por mos krijo, deria vendosëm të mblidhemi dhe të krijojme muzikë dhe emri i grupit ka lindur nga ky status i joni paraprak ne muzike.

TA: Ju jeni krijuar si grup në vitin 2015-të, sa e vështirë ka qënë për ju t’ja dilini në tregun muzikor shqiptar këto vite?

bystandr: Ne muzikën e kemi hobi, kemi nga një profesion prej të cilit jetojmë mirë. Për kohën e cila na mbetet për muzikë jemi shumë të angazhuar, nganjëherë më shumë seç mundemi.

TA: Ndërkohë që cdo gjë ishte e paralizuar për shkak të Koronavirus, pse vendosët të “thyenit rregullat” ndryshe nga artistët e tjerë, duke publikuar “I got you on my mind”?

bystandr: I got you on my mind” është kënga e dytë e albumit “Fire the Thieves” dhe që nga fillimi e kemi menduar ta realizojmë edhe me video. Ja që u lidh tema edhe me karantinën “I don’t need your time cause I got you on my mind”.

TA: Sa e vështirë ishte për ju të bëhëshin xhirimet? Kishit kohë që e kishit përgatitur këtë projekt muzikor?

bystandr: Jemi organizuar me ato mundësi që na ofroheshin duke respektuar kohën e lejuar për levizje të secilit, dhe kemi përgatitur skenën e xhirimeve. Natyrisht ideja ka qënë më komplekse, por duke ju përshtatur kushteve e kemi realizuar këtë. Gjatë xhirimeve janë respektuar të gjitha rregullat dhe rekomandimet e IKSHP. Dua të falenderoj pa masë Ferid Shabani, i cili ka siguruar teknikën për xhirime dhe ka ndihmuar gjatë procesit si edhe Besart Bega, i cili ka bërë regjinë dhe montazhin e videos.

TA: Ju sapo keni publikuar albumin e parë “Fire the Thieves”, sa këngë përmban ai?

bystandr: Albumi ka 8 këngë origjinale, 6 në gjuhën angleze dhe dy në gjuhën shqipe. Incizimi ka filluar vitin e kaluar në “Studio C” në Prishtine dhe ka përfunduar para se të futemi në karantinë. Producent i albumit është Dritero Nikqi. Natyrisht kemi patur plane për promovim dhe xhirime të videove, mirëpo për shkak të pandemisë, na ndryshuan. Albumi mund të gjendet në platformat kryesore për muzikë si: Spotify, Deezer, Itunes etj.

TA: Cfarë do të thotë për ju te jeni pjesë e klasifikimit të “Top Awards” për herë të parë?

bystandr: Eshtë kënaqësi të jemi pjesë e “Top Awards”, është lista më eminente muzikore në trojet shqiptare.

TA: Cilat janë planet më të afërta sa i përket muzikës?

bystandr: Tani sapo kemi publikuar edhe klipin e këngës “What is Love?”, është një animacion i punuar nga “Vija Creative Studio”. Kemi në plan ta xhirojmë edhe klipin për këngën “You don’t know but this song is for you”. Nëse lejohen këtë vit organizimet, natyrisht do shihemi në Ferizaj, Prishtinë dhe Tiranë, me performanca “live” në promovim të albumit.