Me ngritjen e temperatuarve, artistët shqiptarë kanë nisur punën për të publikuar projektet e reja muzikore, duke “luftuar” mes njëri-tjetrit për atë që do të quhet hiti i verës 2018.

Në faqen zyrtare të “Instagram-it” është shtruar pyetja se cili do të jetë artisti që do të sjellë hitin e kësaj vere dhe fansat nuk kanë ngurruar të shprehin mendimin e tyre.

Ndër artistët që janë përmendur me shumë janë Kida, Capital T, Butrint Imeri, Ledri Vula, Dhurata Dora, Alban Skënderaj dhe Unikkatil.

Projekti më i fundit i publikuar nga Kida është vetëm dy muaj më parë, ende nuk ka të dhëna nëse këngëtarja po përgatitet për një tjetër këngë të re këtë verë.

Nga ana tjetër, Butrint Imeri ka publikuar projektin e tij “Xhanem” rreth 4 muaj më parë por artisti ka treguar se gjatë kësaj vere ai do të publikojë tre projekte të reja muzikore. Madje njëra prej tyre, e titulluar “My Cherie” pritet të publikohet shumë shpejt.

Capital T ka patur një vit mjaft aktiv, ku vetëm 2 muaj më parë ka publikuar bashkëpunimin e tij me Majk, “Pasha jeten”, një këngë që është pëlqyer shumë nga publiku shqiptar. Ai gjithashtu një muaj më parë ka sjellë bashkëpunimin “Across the world” së bashku me dy artistë të huaj, Cliqme dhe Koach2.0. Por Kapoja nuk di të ndalet, ai ka paralajmëruar projektin e radhës në bashkëpunim me Granit Derguti, “Take a Shot”, pavarësisht se ende nuk ka dhënë një datë të saktë të publikimit.

Sa i përket Ledri Vulës, ai është një artist që nuk i mungon sezonit të verës së bashku me hitet e tij muzikore. Vetëm dy muaj më parë, ai ka publikuar projektin muzikor, “I vogel” dhe deri tani ende nuk ka lënë të nënkuptohet se po punon për ndonjë projekt të ri muzikor, duke lënë fansat në pritje.

Një tjetër artiste e komentuar shumë nga fansat për hitin e verës 2018-të është edhe Dhurata Dora. Momentalisht këngëtarja po shijon suksesin e bashkëpunimit të saj me Flori Mumajesin, “Trendafil”, një këngë që është publikuar rreth dy muaj më parë dhe është pritur mjaft mirë nga publiku. Deri tani ende nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë projekt të ri nga Dhurata por një gjë është e sigurt, këngët e saj nuk mund t’i mungojnë kësaj vere.

“Imagjino” është projekti më i fundit i publikuar nga Alban Skënderaj dhe Dj Sardi, kështu që nuk është ende e qartë nëse Albani do të publikojë një tjetër këngë për këtë verë por sigurisht që pritshmëritë nga ana e fansave janë të shumta.

Unikkatil ka qënë një tjetër artist i cili është votuar nga fansat si artisti që do të nxjerrë hitin e kësaj vere, e cila duket që do të jetë mjaft e nxehtë. Unikkatil është rikthyer në muzikë me dy projekte muzikore, “A Pe Sheh” dhe “Ni Milion Rrugë”, ku kjo e fundit po korr një sukses të jashtëzakonshëm në “The Top List”. Ky artist ende nuk ka treguar nëse do të kemi një tjetër këngë të re për këtë vere, duke qënë se “Ni Milion Rrugë” ka vetëm dy javë që ka dalë në treg.