Me djemtë e Hitboyz jemi njohur vitin e kaluar falë projektit “Knej nga Durrsi”, i cili ka qënë pjesë e klasifikimit të “The Top List” dhe madje të renditur mjaft mirë, duke arritur vendin e 6-të.

Të katërt djemtë e grupit, Fationi, Andi, Rrafael dhe Klejdi, të cilët studiojnë për muzikë, kanë publikuar disa projekte së fundmi por kënga që e ka risjellë këtë grup sërish në qendër të vëmendjes është “Family”, një projekt muzikor i publikuar qershorin e vitit 2017-të.

Kjo këngë, jo vetëm është futur në listë, por ka zënë një prej pozicioneve më të rëndësishme të listës, pikërisht vendin e dytë. Falë votave të shumta nga ana e publikut, djemtë nga Durrësi kanë vërtetuar më së miri faktin se kanë fansa sa për të konkuruar artistët e afirmuar.

Të pyetur nga “Top Awards” se cila është arsyeja që kjo këngë është futur kaq vonë në klasifikim, Hitboyz është përgjigjur thjesht: “Mendoj se është preferenca e fansave që pëlqejnë muzikën tonë, arsyeja që është votuar kaq shumë“.

Sa i përket këngës “Family”, djemtë kanë shpjeguar se ajo flet për përkushtimin e tyre ndaj muzikës dhe arritjeve të tyre si shoqëri ose si familje, duke e sjellë këngën me një “sound” unik. Teksti është punuar nga vetë djemtë e grupit Hitboyz ndërsa për produksionin janë kujdesur Fation(Fat1on) dhe Andi (son of selo).

Të pyetur për planet e së ardhmes, Hitboyz është përgjigjur: “Aktualisht po punojmë fort për të përfunduar “mixtapen” tonë të parë me rreth 10 këngë të rrymës “Hip Hop” , “Dancehall”, “Regaeton” dhe shumë shpejt do jenë të lancuara njëra pas tjetrës”.

https://www.youtube.com/watch?v=Dl92KzD3Fuo