Duket se ripërpunimi i këngëve të vjetra është shndërrruar në një trend së fundmi. Shumë artistë të njohur zgjedhin projekte të vjetra, duke i risjellë një version modern, i cili duket se pëlqehet shumë nga publiku shqiptar.

Dyshja e talentuar, Hit-Man dhe Rolla, të cilët janë gjithashtu vëllezër, kanë vetëm pak ditë që kanë publikuar projektin më të ri muzikor “Oj Moll e Kuqe”, një ripërpunim i këngës me të njejtën titull, kënduar nga ikona e muzikës popullore mirditore, Fran Vorfi, në vitin 1973

Dy reperat kanë folur për “Top Awards”, ku kanë zbuluar më shumë sa i përket kësaj kënge dhe si lindi ideja për këtë version modern.

Top Awards: Kush është Hit-Man dhe Rolla?

Hit-Man & Rolla: Hit-Man & Rolla, jemi dy vëllezër të cilët kemi krijuar “LABELIN 2BR” ose “2BROTHAZ RECORDS”, si fillim produksion audio, tashmë edhe videoklipesh, ku ka kaluar në nivel tjetër ENTERTAINMENT. Kemi nxjerrë në treg shumë këngë si produksion. Jemi të dy reperë. Hit-Man krijon muzikën dhe orkestrimin deri në “mix master” ndersa Rolla shkruan tekstet.

TA: Si lindi ideja për këtë projekt muzikor?

Hit-Man & Rolla: Ideja për të krijuar këtë produksion lindi nga një diskutim midis nesh dhe babait tonë, ku u shtrua si ide që të merrnim një këngë popullore të vjetër dhe ta kthenim në stilin tonë modern.

TA: Pse vendosët të vinit me një “remake” të “Oj Moll e Kuqe”, mos ndoshta ngaqë është shndërruar në një trend?

Hit-Man & Rolla: “Remake” e “Oj Moll e Kuqe” ka gati një vit që është hedhur si projekt në studion tonë por pritem kohën dhe momentin e duhur që ta lançonim… Mendojmë se e kemi publikuar atëherë kur duhej.

TA: Na thoni dicka për versionin origjial të kësaj kënge.

Hit-Man & Rolla: “Oj Moll e Kuqe” është një këngë e krijuar që në vitin 1973 nga ikona e muzikës popullore mirditore dhe më gjërë shqiptare, i ndjeri Fran Vorfi… Kjo këngë njihet gjërësisht nga dëgjuesit e asaj kohe, gjithashtu edhe dëgjuesit e ditëve të sotme të asaj rryme muzikore (popullore).

TA: Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin? Ku është xhiruar klipi?

Hit-Man & Rolla: Muzika e kësaj kënge është rikompozuar dhe orkestruar nga Hit-Man ndërsa teksti nga Rolla. Produksioni 2BR ose 2Brothaz Records. Videoklipi është xhiruar në qytetin e Korçës, ku kemi kaluar shumë mirë gjatë kohës së xhirimeve.

TA: Si është pritur nga publiku shqiptar?

Hit-Man & Rolla: Jemi shumë të kënaqur nga pritja që i ka bërë publiku shqiptar kësaj kënge. “Oj Moll e Kuqe” po i kalon të gjitha pritshmëritë tona dhe po dëgjohet gjithandej.

TA: Si ndiheni që jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List”?

Hit-Man & Rolla: Eshtë një kënaqësi e veçantë kur bëhesh pjesë e “The Top List” në “Top Aëards”. Jemi si debutues dhe dita ditës po shikojmë se puna jonë po vlerësohet. Tashmë “Oj Moll e Kuqe” është në 100 këngët më të preferuara në Shqipëri, ku njëra sfidë u fitua dhe na ka ngelur një sfidë tjetër për t’u kaluar, e cila është të jemi në krye të klasifikimit.

TA: Mendoni se kjo këngë do të jetë një ndër hitet e kësaj vere?

Hit-Man & Rolla: Ajo tashmë është hit për dëgjuesit shqiptarë. Ka kaluar mbi 500k klikime në 10 ditë dhe ky është një sukses. 2BR, we are the best! Faleminderit Top Awards!