Artistja KOKA duket se nuk po ndalet me projektet e saj muzikore. Çdo projekt i publikuar prej saj duket se po tërheq gjithmonë e më shumë publikun, me zërin e saj të mrekullueshëm, stilin kaq origjinal dhe me këmbë në tokë. Në një intervistë eksluzive për “Top Awards”, ajo ka treguar më shumë nga vetja e saj vetëm për ne.

Ku e gjen frymëzimin për të krijuar të tilla projekte?

“Frymëzimi im është jeta, gëzimi dhe kurioziteti rreth saj. Për shumë kohë nuk kam patur akses në të krijuarit muzikë. Ajo erdhi si rezultat i praktikave shpirtërore si p.sh. meditimi. Për sa kohë e jetoja jetën nga prizmi i të përmbushurit një plan të paracaktuar, nën stresin e jetës dixhitale, kapitaliste, normale nuk kisha ende akses në potencialin tim për të kompozuar. Pasi fillova të ndjej benefite nga praktikat dhe qetësia mendore, fillova të zgjohem natën me linjën kryesore të këngëve në kokë, të cilën e inçizoja si voice-memo në smartphone.”

Cili është mesazhi që dëshiron të përcjellësh tek dëgjuesit nëpërmjet projekteve të tua?

“Vështirë të shkruaj një paragraf të shkurtër për tu përgjigjur kësaj pyetjeje…Dëshiroj shumë të shpreh forcën që më ka dhënë të ushqyerit veten nga brenda, jo nga jashtë. Dëshiroj të jap shpresë dhe forcë kujtdo që ka nevojë, Mesazhet e përfshira (flasım gjithmonë për albumin e parë) janë se nuk ka limite në egzistencën tonë, dhe se mund të jesh ose bëhesh çfarëdo që dëshiron në këtë jetë, po ta besosh dhe të bësh detyrën ndaj vetes. Të punosh për ëndrrat e tua dhe të duash jetën që të është dhënë, sepse është dhurata më e çmuar. Se askush, përveç teje, as ata që të duan shumë apo të sollën në jetë, nuk i perceptojnë dot dimensionet e qenies tënde, as mundësitë që ke përpara, as talentet që fshihen brenda teje.”

Si të lindi ideja e një videoklipi kaq origjinal si “The Next Step”?

“Sikurse edhe këngët…vijnë si një pëshpërimë nga forca krijuese kolektive, që mëzgjodhi mua për të transmetuar një mesazh X. Unë jam radioja transmetuese që i kishte receptorët gati. Nuk e shoh të krijuarit diçka si avantazhi im personal. Por është privilegj të jesh në gjendjen receptive të artit që do të krijosh. Ajo është puna jonë e vetme: përgatitja e gjendjes mendore dhe shpirtërore. “The Next Step” ishte produkt i imi dhe i drejtueses artistike Celeste Call, me të cilën kam punuar që prej imazhit tim artistik të mediave të ndryshme (Spotify, Youtube, Apple Music). Ky videoklip muzikor ishte i sikletshëm në filmim, na duhej drita e muzgut, e cila është tepër e shkurtër në një pyll, maksimumi 1 orë dhe trysnia ishte e madhe. Duhet të përqëndrohesha shpejt në tre lloje kamerash, dy videografë dhe një dron. Qëllimi im ishte të transmetoja gjendjen e të qenit i humbur dhe më pas duke i lëne hapësirës, “shkundjes” së emocioneve negative, ecjes me guxim drejt lirisë së brendshme…valles çliruese.”

Ke sjellë në tregun shqiptar një frymë shumë ndryshe ndërkombëtare, a mendon se kjo është ajo që të bën më të veçantë?

“Çfarëdo kam sjellë ose kam bërë deri tani, nuk kam synuar asnjëherë te jem diçka “e veçantë”. Kam bërë atë që më ka shprehur shpirti duke punuar shumë dhe me përgjegjësi të plotë. Gëzohem nëse kënget edhe mesazhet do iu japin diçka një grupi njerëzish, siç më kanë dhënë mua shumë prej idhujve të mi.”

Çfarë mendon se është ajo që po tërheq gjithnjë e më shumë publikun pas teje si artiste?

“Është e vërtetë kjo? Nuk kam patur kohë të reflektoj rreth kësaj, sepse puna sa vjen e po shtohet dhe shfaqjet live janë të pakta…pra trysnia është e madhe. Ajo që përmenda më sipër, që muzika është shkruar nga shpirti dhe prodhuar me influencën dhe prezencën time të vazhdueshme me producentët e mi gjeni, Oscar Lindahl dhe Henrik Müller (Riverside Studios), mendoj ndihet në çdo publikim të albumit që vjen në fillim të vitit 2022. Sidomos dedikimi dhe dashuria për çdo titull. Çdo gjë e bërë me dashuri, do lërë gjurmë në këtë botë, jam mëse e bindur për këtë tashmë.”

Cili është imazhi që dëshiron të krijosh në sytë e fansave si artiste?

“Unë jam një si ti apo si ti. Një si ju. Veshjet apo ngjyrat do ndryshojnë, flokët do ndryshojnë… Asgjë nuk është statike. Herakliti e ka thënë bukur: “ndryshimi është e vetmja gjë konstante”. Unë kam dashur, kam ndjerë dhimbje, kam lënë njerëz dhe vende pas…jam rrëzuar dhe jam ringritur në këmbë. Jam diskriminuar dhe mos-respektuar. Nga ajo mësova të flas kur ka padrejtësi. Kam rikrijuar shumë aspekte të jetës, sikurse mundesh edhe ti, ose ti, ose ti tjetri/a. Kam dhënë forcë njerëzve me kengët e mia dhe ndonjëherë kam zbutur gjendjet shpirtërore apo mendore. Kjo është gjithçka për mua. Si mund të bëhet mëmirë se kaq? Si mund të jem më e vlefshme? Këtë pyetje bëj çdo ditë.”

Cili është mbështetësi/ja jot më i madh?

 “Partneri im dhe familja ime. I adhuroj!”

Çfarë projekti ke të rezervuar për dëgjuesit pas “The Next Step”?

“Sikurse e kam deklaruar në “Instagram” dhe mediat sociale, “Forever Goodbye” është publikimi i rradhës. Del më 30 Korrik dhe vjen me tinguj të rinj dhe një histori magjike e përfshirë në videon muzikore, të xhiruar në Saõ Paolo nga një superfans i imi videograf dhe e dashura e tij.”