Pavarësisht se është konsideruar si një javë e qetë, në të cilën nuk kanë ndodhur ndryshime të mëdha në renditje, ka nga ato këngë që kanë arritur të ngjiten me më shumë se 10 pozicione.

Po kush janë këngët që janë votuar më shumë këtë javë?

“Krejt t’i fala”, bashkëpunimi i Majk dhe Yll Limani, është kënga që është ngjitur me më shumë pozicione këtë javë. Falë mbështetjes së publikut, ky projekt muzikor gjendet 14 pozicione më lart se java e kaluar, duke u pozicionuar në vendin e 31-të. Nga ana tjetër, Yll Limani, i cili renditet i pari këtë javë, është votuar edhe më një tjetër këngë dhe bëhet fjalë për “Pse je me to”, e cila është ngjitur me 10 pozicione nga java e kaluar.

Tayna është një tjetër artiste që është votuar shumë këtë javë, duke u ngjitur me dy këngë. “Ring Ring” dhe “Fake” janë dy këngët më të votuara të reperes së suksesshme për këtë javë, të cilat janë ngjitur përkatësisht me 11 dhe 12 pozicione.

“Vamos”, bashkëpunimi i Geasy, Majk dhe Onat, është një tjetër këngë që ka patur vëmendjen e publikut për këtë javë. Edhe pse ka plot 35 javë që është pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”, kjo këngë ende dëgjohet dhe votohet duke u ngjitur me 12 pozicione nga java e kaluar.

Kjo javë ka sjellë në vëmendje edhe Dafinën së bashku me Lumi B, me këngën e tyre “Lule Lule”. Publiku e ka renditur 11 pozicione më lartë se javën e kaluar këtë këngë, e cila pozicionohet në vendin e 65-të.

Stresi ka qënë qendra e mediave këtë javë dhe duket se kjo ka ndikuar edhe në pozicionimin e këngës së tij, “Two Shots”, në bashkëpunim me MKR dhe Anxhelo Koci. Kjo këngë është ngjitur me 13 pozicione nga java e kaluar.