10 pozicionet më të nxehta të “The Top List” janë pushtuar nga artistet femra, duke lënë kështu të nënkuptohet se muzika e tyre po pëlqehet më shumë momentalisht.

Kreu i klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare i përkët pikërisht një artiste femër dhe bëhet fjalë për Kejsi Tola, projekti i së cilës ka korrur një super sukses këtë javë, duke u ngjitur me 14 pozicione. Versioni akustik i “U Rritem” ka marrë vëmendjen kryesore, duke u bërë kështu kënga më e votuar e javës.

Një sukses të jashtëzakonshëm këtë javë ka korrur edhe Kida, e cila gjendet në “Top 10” me tre këngë. Këngëtarja e talentuar ka mundur të zërë vendin e dytë me këngët e saj më të fundit “Merri Krejt” ndërsa dy këngët e tjera”Bileta” dhe “Ti” renditen përkatësisht në vendin e 4-t dhe 5-të.

Pas një kohe mungesë në treg, Besa është rikthyer me “Amor”, një këngë që ka rezultuar tepër e pëlqyer për fansat e artistes, të cilët kanë votuar pafund që këngëtarja e tyre e preferuar për këtë javë të pozicionohet në vëndin e 6-të.

“Anything More” është një nga hyrjet më të reja të “The Top List”, kënduar nga Steve Aoki dhe Era Istrefi. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut, kjo këngë ka arritur të renditet menjëherë në vendin e 10-të, duke u shndërruar kështu në hyrjen e re të renditur më mirë për këtë javë.

Ndërkohë që “Top 10” është pushtuar nga femrat, në fakt në mesin e tyre gjendet një djalë dhe bëhet fjalë për këngëtarin e dashur të publikut shqiptar, Butrint Imeri. Falë mbështetjes së madhe nga ana e fansave, Butrinti gjendet në “Top 10” me 4 projekte muzikore. Prurja më e re e këngëtarit, “Kush?” është pritur mjaft mirë nga fansat dhe falë tyre renditet në treshen e këngëve më të votuara të javës ndërsa tre këngët e tjera, “Alea”, “Xhanem” dhe “Ma Cherie” pozicionohen përkatësisht më vendin e 7-të, 8-të dhe 9-të.