Florent Abrashi është djali nga Gjakova, i cili falë talentit të tij, triumfoi në “The Voice of Albania 3”, duke u shpallur zëri më i mirë i shqiptarëve.

Ndërkohë që vazhdon koncertet nëpër klubet e natës, Florenti ka rreth 3 javë që është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List” me projektin e tij muzikor, i cili është “remake” i “Kush niset me bo sevda”. Gjatë kësaj jave, ky projekt muzikor ka korrur një sukses të madh, duke u ngjitur me 23 pozicione. Falë votave të publikut, kjo këngë pozicionohet në vendin e 26-të.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Florenti ka folur rreth këtij projekti muzikor si dhe planet për të ardhmen.

TA: Përshkruaje me një fjalë eksperiencën tënde në “The Voice”?

Florent: Endërr

TA: Sa ka ndryshuar jeta juaj pas “The Voice”?

Florent: Ka ndryshuar shumë, duke më ngritur prej pozitës të një të riu nga Kosova, në pozitën e zërit më të mirë shqiptar.  Ka hapur shume dyer, ka sjellë shumë njerëz përreth meje, por gjithashtu edhe ka më shumë pritje nga unë. Pra njerëzit presin që unë të bëj gjithmonë më të mirën e mundshme, qoftë në skenë, ashtu edhe në studio.

TA: Si lindi ideja për “Kush niset me bo sevda”

Florent: Idea ka lindur në momentet kur me djemtë e grupit ishim duke bërë prova të disa këngëve të vjetra dhe kjo këngë gjithmonë na ka pëlqyer. Kishim nevojë atë kohë për këngë më ritmike dhe kisha idenë që ta ndryshojmë ritmin e kësaj. Kështu filloi aventura e ripërpunimit, ku punuam gati një vit në të dhe arritëm tek produkti final që tashmë ka edhe klipin.

TA: Pse vendosët të vinit me një “remake” të këtij projekti muzikor?

Florent: Ka qënë pjesë e një strategjie marketingu, po gjithashtu ka qënë edhe nevojë e imja për të prodhuar muzikë të mirë, gjithashtu tregu i tanishëm e bën pak më të vështirë që të sjellim këngë origjinale, kështu që tentuam këtë këngë. Gjithashtu kjo këngë shërben si një lloj sfide për mua, për të provuar edhe zhanre të tjera jashtë muzikës “Rock”.

TA: Mendoni se me këtë projekt muzikor keni fituar zemrat e të rinjve por edhe atyre pak më të mëdhenj në moshë?

Florent: Tentativa jonë ka qënë që me këtë këngë t’i prekim të dy botët: edhe atë të të moshuarve, pasi është një ripërpunim i një kënge të vjetër, si dhe botën e të rinjve, duke ia dhënë një ritëm të ri dhe të vallëzueshëm, si dhe një klip shumë energjik, dinamik dhe modern.

TA: Kush është kujdesur për muzikën dhe klipin e këngës? Ku është xhiruar ai?

Florent: Shumica e përpunimit është bërë nga unë, por duhet gjithsesi të përmendet edhe producenti i këngës Florent Boshnjaku, i cili ka dhënë një kontribut të patjetërsueshëm. Për klipin është përkujdesur kompania Entermedia; Klipi është xhiruar në dy lokacione, e para në qendër të Prishtinës ndërsa pjesa e dytë tel lumi Buna në Ulqin.

TA: Cili është zhanri muzikor që të pëlqen më shumë?

Florent: Pëlqimet e mia sa i përket muzikës po ndryshojnë me kohën, po për momentin po ndihem shumë mirë me zhanrin e muzikës “Funk”, sidomos me artistin Bruno Mars, që po arrin të më befasojë me çdo produksion.

TA: Kur do ta kemi projektin e radhës, keni menduar për të?

Florent: Tashmë kam filluar që të shkruaj diçka, sic duket do jetë një këngë më e zymtë, e përshtatshme për stinën e ftohtë. Ende nuk di një orar ose formë të saktë të publikimit të kësaj kënge, vetëm e di që do jetë diçka origjinale.

TA: Si ndiheni që jeni pjesë e “The Top List”

Florent: Për mua është hera e parë që jam pjesë e një top liste dhe lajmi që jam pjesë e saj më bëri të ndihem shumë mire, madje menjëherë lajmërova djemtë e grupit, të cilët gjithashtu ndajnë entuziazmin me mua. Ju falenderoj shumë.

TA: Një mesazh për fansat që të kanë votuar…

Florent: Ju falenderoj të gjithve që keni gjetur kohën dhe vullnetin për të më votuar, shpresoj që t’a kem vazhdimisht mbështetjen tuaj dhe shpresoj që sa më shpejt të vi me këngë origjinale. Faleminderit për të gjitha!