Nga një ish-konkurrente e “The Voice of Albania”, Filloreta Raçi ose siç njihet me emrin e artit, Fifi, është shndërruar në një ndër këngëtaret dhe tekstshkrueset e preferuara të publikut shqiptar.

Fifi, e cila ka qënë disa herë pjesë e klasifikimit të  “The Top List”, ka vetëm pak ditë që ka publikuar jo një por dy projekte të reja muzikore.

Të titulluara “Nanush 1” dhe “Nanush 2”, këto dy këngë nuk kanë mundur të bëhen të dyja pjesë e listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Falë votave të fansave, “Nanush 1” është pjesë e listës këtë javë dhe renditet në vendin e 63-të.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Fifi ka shpjeguar arsyen pse vendosi të publikonte dy këngë në të njëjtën ditë dhe ka dhënë më shumë detaje rreth këtyre projekteve muzikore.

TA: Pse vendosët të publikonit dy projekte brenda një dite?

Fifi: Vendosa të nxjerr dy projekte brenda një dite sepse ashtu na e dha truri (qesh)… Bëj shaka, thjesht për të bërë diferencën.

TA: Pse i ke titulluar “Nanush 1” dhe “Nanush 2”? A kanë lidhje me njëra- tjetrën?

Fifi: Vendosa t’i titulloj ashtu ngaqë janë vazhdimi dhe lidhja e njëra-tjetres. Tek e para hiqem pak si rebele ndërsa tek e dyta jam ajo që po dashurohem. Kështu ndodh gjithmonë, në fillim bën të fortën, pastaj harron edhe veten.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Fifi: Dy këngët janë punuar tek studio “maxAudio”. Tekstet dhe muzikën e dy këngëve e kam bërë unë vetë ndërsa orkestrimin Apollo, një djalë tepër i talentuar. Tek “Nanush 1”, Elgit Doda ka bërë një ndërhyrje të vogël “kirurgjike” dhe ka bërë “mixMaster”.

TA: Këto dy këngë ju sjellin pak më ndryshe zhanrit tënd muzikor apo vazhdon të ndjekësh të njëjtën linjë?

Fifi: Në fakt mua nuk më dihet zhanri. Jam e hapur të punoj edhe gjëra jashtë karakterit tim si artiste, por këto të dyja janë shumë Filloreta.

TA: Me këto projekte, ju krahasojnë me Dafina Zeqirin. Çfarë mendimi keni për këtë?

Fifi: Dafina Zeqiri është njëra prej artisteve më të preferuara shqiptare në listën time. Ku ka zë, s’është pa gjë.

TA: Fansat kanë zgjedhur të të bëjnë pjesë të “The Top List” vetëm me “Nanush 1”. Pse mendoni që kanë bërë këtë zgjedhje?

Fifi: Mbase ka zgjedhur “The Top List” ta bëjë vetëm “Nanush 1” pjesë të Top Listës. Unë personalisht vdes për “Nanush 2”.

TA: Për këtë javë renditeni në vendin e 63-të, ku mendoni se do jeni javën e ardhshme?

Fifi: Zakonisht jam renditur tek këto pozicione, maksimumi tek 40-shja, kështu që s’është se mendoj ndonjë gjë (qesh).

TA: Një përshëndetje për mbështetësit e muzikës tënde…

Fifi: Zoti ju bekoftë dhe ju ndihmoftë.