Kida, e cila është një nga talentet e reja më të preferuara në Shqipëri, ka ardhur me disa projekte muzikore gjatë këtij viti.

Ndërkohë që këngët e saj “solo” gjithmonë krijojnë një impakt pozitiv tek publiku, duket se një vëmendje të rëndësishme marrin dhe bashkëpunimet e saj.

Së fundmi Kida dhe Fero kanë bashkuar fuqitë duke sjellë këngën me titull “Harroj”, që për këtë javë renditet e para në listën e 100 këngëve të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Edhe pse gjatë javës së parë që kjo këngë hyri në klasifikim renditej në vendin e 48-të, nga java në javë ajo arriti të ngjitej, derisa këtë javë kapi kreun e listës.

Kida vazhon të jetë pjesë e listës edhe me tre projekte të tjera muzikore, të cilat janë të pozicionuara mjaft mirë në listë.

“Don’t Say No More”, “Anderr” dhe “Pe Du” renditen përkatësisht në vendin e 5-të, 7-të dhe 8-të.

Kjo javë ka ardhur me ndryshime të shumta sa i përket renditjeve dhe prurjeve të reja muzikore. 8 projekte muzikore i janë shtuar “The Top List” këtë javë, duke lënë jashtë 8 projekte të tjera të cilat për një kohë të gjatë qëndronin në listë.

Ju mund të vazhdoni të votoni të preferuarit tuaj në faqen zyrtare të “Top Awards”:topawards.top-channel.tv. Gjithashtu po në këtë adresë, mund të na sugjeroni këngët që mendoni se duhen të jenë pjesë e këtij klasifikimi.