E ftuar në të mërkurën artistike në “Top Albana Radio” ishte këngëtarja e njohur Eneda Tarifa e cila zbërtheu disa nga projektet e saj më të bukura muzikore. Eneda u kthye pas në kohë për të na zbuluar prapaskenat e çdo realizimi muzikor…

Ja çfarë tha ajo për secilin projekt…

1. A jeni ju si unë? (2000) – Ka qenë një këngë e veçantë për natyrën e vet recitative, etno dhe moderne. Kjo këngë ka fituar vendin e parë në një Festival gjysmë ballkanik në Mal të Zi dhe është kopjuar nga këngëtarja serbe Emina Jahoviç. Nuk e dija dhe kur më thanë, u kujtuam vonë për t’i hedhur në gjyq. Egziston akoma ajo këngë në repertorin e saj. Nuk e di çfarë u bë me atë gjyq dhe duhet të gjej një tjetër avokat.

2. Ëndrrat do t’i marrë me vete (Kënga Magjike 2001) –  Kam qenë në një Festival me “bishat” e muzikës së lehtë shqiptare. Dola në vend të tretë dhe isha shumë e lumtur sepse garova me emra dhe figura të njohura. Asgjë nuk do i ndryshoja këngës, e cila e ka bukurinë edhe në pasaktësitë e vogla. Kam qenë 15-16 vjeçe. Me atë zë që kisha atëherë e kam bërë shumë mirë. Kjo këngë u bë e njohur 1 vit pasi doli dhe me anë të “Top Albania Radio”-s, u bë kënga më e pëlqyer.

3. Rreth zjarrit tënd (Kënga Magjike 2006) – Është një këngë që Shpëtim Saraçi ka mundur të guxojë në disa gjëra. Kënga është e përzier me dy ritme. Sokol Marsi ka bërë tekstin. Shkova të Shpëtimi për një këngë, m’u ofrua kjo lloj kënge dhe më pëlqeu. Është këngë e një lloji të veçantë. Në vitin 2006-të, ka marrë çmimin “Çesk Zadeja”, çmim i nderuar për mua.

4. Zëri im (Kënga Magjike 2008) – Bashkëpunimi me Flori Mumajesin dhe Darko Dimitrov ishte i suksesshëm. Për herë të parë punova me Darkon. Flori atëherë kishte shumë punë dhe ma sugjeroi Darkon. Ishte dëshira dhe kurioziteti im se kush është Darko që po i bën këngë gjysmës së shqiptarëve. Pash një profesionalizëm të madh te ai.

5. Thurje (2008) –Ka qenë kënga e parë që kam marrë përsipër të bëj me videoklip. Kam marrë mamin dhe babin me vete në Shkup. Në atë kohë nuk ka patur shumë studio filmike. Jam e kënaqur me bashkëpunimin me maqedonasin Aleksandrin. Ishte shumë bukur dhe më ka pëlqyer si ka punuar me videoklipin.

6. Me veten (Top Fest 2010)Më bëhet mishi kokrra. Ka qenë periudhë e bukur dhe një këngë që më goditi me herën e parë. Të gjithë asistentët, regjisorët i kisha fansa të këngës dhe për energjinë dhe karakterin pritej të ishte një këngë fituese. Çdo gjë ka qenë “live” dhe në atë vit Top Fest-i mori një vrull. Flori Mumajesi e bëri tekstin, e ndërsa unë kam ndërhyrë nga pak. Kam patur një “look” të vecantë që përshtatej me stilin e këngës.

7. Përrallë (Eurovision 2016) –Unë bëra më të mirën e mundshme në një kohë jo të mirë për mua në kuptimin ndjesor/personal. Nuk isha shumë e kthjellët dhe e qetë dhe i ndieva të gjitha presionet. Po të kthehesha pas në kohë do e këndoja këngën ashtu siç ishte pra shqip, në variantin e vet. Megjithatë natyra e këngës së ripërpunuar u pëlqye nga fansat e Eurosongut të cilët prisnin me padurim për autografe, foto dhe këndonin njëzëri. Përsa i përket incidentit me anglishten Eneda tha:

Dhurata më shoqëroi gjithë kohën dhe unë në fakt kisha bërë 20 intervista gjithë ditën. Këta dy anglezët e poshtër erdhën dhe ishin të hutuar, më hutuan edhe mua, kishin temperament të bezdisshëm. Nuk e dija që do hidhej live intervista pa u prerë. Kisha dy zgjidhje o t’i hidhja ne gjyq o ta merrja me sportivitet. Ata erdhën duke qarë dhe mu betuan që nuk donin të më bënin keq. Por e keqja ndodhi dhe unë jam natyrë që fal. Mua e keqja mu bë, u mërzita shumë dhe nuk më flitej.

8. Ma zgjat dorën (Kënga Magjike 2019) –Nuk kam çfarë të them, thjesht: “Ishte një fitore për mua”!

 

9. Dashuri siberiane (2020)/Për ty (2021) –Janë punuar nga e njëjta dorë, nga i njëjti grup artistësh. Ishte inisiatori vëllai i Drita Çomos, tekstshkrueses që u lidh me Edmond Rrapin dhe Edmondi ma ofroi mua këtë. U mblodhën ca njerëz të mirë bënë ca këngë të bukura, i dërguam të Shpëtimi dhe rezultuan të këndshme. Kam një uri dhe një babëzi për të prodhuar muzikë. Ka ardhur koha të japë më shumë muzikë sepse ka mungesa të këngëve. Së shpejti vijnë dy këngë vere.