Ata janë miq shumë të mirë dhe bashkëpuntorë të shkëlqyer por duket se kësaj radhe Elvana Gjata i ka prishur punë kolegut të saj, Ledri Vulës, duke e përjashtuar Ledrin nga vendi i tretë. Reperi i dashur, goditi në shenjë javën e kaluar, duke pushtuar tre vendet e para, por ka qënë pikërisht “Tavolina e merzise” e Elvanës që ka prishur “strike-n” e tij.

Pavarësisht kësaj, Ledri vazhdon të jetë në vendin e parë me projektin “Menemadhe” në bashkëpunim me Lyrical Son dhe Mc Kresha si edhe në vendin e dytë me bashkëpunimin e tij me artistin shqiptar me famë botërore, Gashin, “That’s Mine”.

Sikurse e përmendëm edhe më lartë, vendi i tretë i takon Elvana Gjatës me projektin e saj më të ri muzikor, “Tavolina e merzise”, e cila gjatë kësaj jave është ngjitur me tre pozicione, falë votave të publikut.

Në fakt “Top 5” thuajse nuk ka ndryshuar përveç vendit të tretë, i cili i përkiste “Aje” të Tayna dhe Ledrit, por që është zhvendosur në vendin e 6-të për këtë javë, duke humbur tre pozicione nga java e kaluar.

Këngët e reja nuk i kanë munguar as kësaj jave klasifikimit zyrtar të “Top Awards” pasi 7 projekte muzikore i janë shtuar listës së 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Hyrja e re e renditur më mirë është bashkëpunimi i Xhensila Myrtezaj me Pirro Çako, “Sekreti im”, i cili pozicionohet në vendin e 12-të.