Tetorin e vitit të kaluar, Elvana Gjata bashkoi fuqitë me 2Po2 dhe Capital T, duke publikuar “Lejla”, një këngë e cila shumë shpejt u shndërrua në një hit.

Ndërkohë që arriti të bëhej pjesë e klasifikimit të “The Top List” që në javën e parë të publikimit, “Lejla” ka kryesuar listën zyrtare të “Top Awards” për 4 javë. Edhe pse gjatë këtij viti ka patur shumë hite muzikore, “Lejla” ka arritur t’i mbijetojë konkurrecës, duke qëndruar thuajse një vit në klasifikim.

E futur në listë që më 30 tetor 2016, Elvana Gjata është shumë pranë rekordit historik, pasi “Lejla” është kënga që prej 50 javësh qëndron në listën e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Deri tani si kënga që ka qëndruar më gjatë në klasifikimin e Top Awards është “Bonbon” e Era Istrefit. Ky projekt muzikor, me të cilin Era mori një famë botërore, ka qëndruar në listë 53 javë.

Duket se Elvana është shumë pranë arritjes të këtij suksesi të Era Istrefit, pasi ende vazhdon të dëgjohet dhe votohet nga fansat.

“Stoli i Trendafilave” i Alban Skënderaj është një tjetër projekt muzikor që për një kohë të gjatë qëndron në listë. E publikuar tetorin e vitit të kaluar, kjo këngë është bërë pjesë e “The Top List” 48 javë më parë. Pavarësisht se gjatë këtij viti, Albani ka publikuar disa projekte muzikore, fansat janë ende të dashuruar pas baladës “Stoli i Trendafilave”, të cilën nuk rreshtin ta votojnë në topawards.top-channel.tv