Ajo nuk është e panjohur për publikun shqiptar dhe për të gjithë ju që keni ndjerë mungesën e këngëtares së talentuar Eltina Minarolli, ajo është rikthyer po me aq pasion si edhe më përpara. Pavarësisht se kanë kaluar thujase dy vite pa publikuar prurje të reja muzikore, Eltina nuk e ka shkëputur për asnjë moment muzikën nga jeta e saj pasi muzika jeton tek ajo.

Artistja, e cila numëron disa arritje në karrierën e saj muzikore, ka vendosur të rikthehet me dy projekte, “Lady” dhe “Onome”, dy këngë tepër ritmike, duke e sjellë për herë të parë në një zhaner të ri muzikor, “afrobeat”. “Lady” ka ardhur në bashkëpunim me Bizzonthetrack, një këngëtar, autor tekstesh dhe producent mjaft i suksesshëm në Nigeri.

Bashkëpunimi me Eltinën ka qënë një eksperiencë e mrekullueshme për mua dhe një ndër të cilat do e shijoj për një kohë të gjatë“, shprehet Bizzonthetrack për “The Top List”.

E kontaktuar nga “Top Awards”, Eltina ka dhënë një ndër intervistat më të këndshme dhe ajo që do dalloni në këtë rrëfim është pasioni i madh me të cilin ajo flet për muzikën, duke na treguar qartë se muzika është ilac për shpirtin, është një stimulant i mendjes dhe i shpirtit.

TA: Sa kohë kanë kaluar nga projekti juaj më i fundit muzikor?

Eltina Minarolli: Përshëndetje! Ju falenderoj shumë për intervistën. Nga projekti im i fundit muzikor kanë kaluar vetëm 7 ditë dhe mua më duket sikur ka kaluar muaji. Koha ikën shpejt ndaj unë duhet të vrapoj me të njëjtën shpejtësi për të kapur dritën e saj e mos ta ndaloj këtë vrull të krijimtarisë që më është rikthyer me rikthimin tim në industrine muzikore.

TA: Pse vendose të bëje këtë pauzë muzikore dhe me cfarë je marrë gjithë këtë periudhë?

Eltina Minarolli: Vendosa pasi e ndjeja që krijimtarisë sime i kishte ardhur momenti për një pauzë që nuk do kishte afat dhe më mori plotësisht dy vite derisa sot iu riktheva me po aq pasion si më përpara. I dedikova shumë kohë vetes time, e kisha të nevojshme pasi rutina e ditës që përjetoja gjithmonë, nuk po më plotësonte shpirtërisht dhe e ndjeva të domosdoshme ta ndryshoja këtë lloj “jetese”, duke u shkëputur pak nga muzika (krijimtaria për veten), daljet televizive dhe të fokusohesha tërësisht tek ato detaje të vogla ose të mëdha që do më bënin të lumtur për atë sezon pauze.

Por gjithsesi, muzikën në këto dy vite nuk e shkeputa për asnjë moment nga vetja sepse ajo jeton tek unë. Ne i japim jetë njëra-tjetrës dhe bashkë mbushim dhe ndricojmë ato pjesë të trupit që kanë nevojë për dritë (buzëqesh).

Unë kam një studio produksioni personale tek e cila punoj, jap mesime vokali “online” dhe prodhoj muzikë për projekte të ndryshme muzikore ndërkombetare. Fokusi momental ka qënë pikërisht biznesi im dhe një vëmendje i kam dhënë arratisë sime shpirtërore, duke ndërmarrë udhëtime të ndryshme nëpër botë. Udhëtimet kanë qënë gjithmonë një nga arsyet më të forta për t’u pastruar shpirtërisht pasi kam patur mundësi të marr kohë me veten, të njihem me kultura të ndryshme, të lidhem më shumë me natyrën, të njoh njerëz me mentalitete komplet ndryshe nga mentaliteti ynë dhe kjo më ka ndihmuar të rritem dhe në krijimtarinë time sepse shumë nga këngët e mia të reja kam arritur t’i kompozoj në këto udhëtime e frymëzuar nga gjithcka ka ndodhur rreth meje gjatë këtyre udhëtimeve dhe jo vetëm.

TA: Cfarë të bëri të riktheheshe kaq fuqishëm, jo me një por me dy projekte muzikore?

Eltina Minarolli: Nëse trupi im do ishte skanuar ndonjëherë do e kuptonit që në të ka 90% energji kreativiteti muzikor. Muzika është një mënyrë për t’u shprehur, për të mbajtur të shoqëruar veten teksa jemi vetëm dhe unë nëpërmjet muzikës shërohem. Unë flas me ndjesitë e mia dhe të njëjtën gjë dua të bëj për të tjerët. Të arrij t’i shëroj me muzikën time sepse ajo është energji, është një stimulant i mendjes dhe shpirtit. Ka ngjyra (buzëqesh). Për cdo emocion ka muzikë dhe muzika e bukur ka fuqinë të të bëjë ty euforike, të të hapë imagjinatën dhe të lidhet me shpirtin tënd. Të pastron ate pluhurin e cdo dite në jetë. Thjesht magji dhe terapi për shpirtin.

Kjo ishte dhe arsyeja e rikthimit tim. Energjia ime po më thërriste t’i rikthehesha asaj që di të bëj më mirë. Ky është misioni im në këtë jetë. Të krijoj, të këndoj dhe të shëroj cdo shpirt me muziken time dhe jo pa qëllim publikova dy këngë sepse mendova: dy është më mirë se një (qesh)… Njerëzit mund të kërcejnë dhe ta ndjejnë atë energji pozitive në këto dy këngë.

TA: Ke ardhur me një stil ndryshe në muzikë, tek cili zhaner e ndjen veten më mirë?

Eltina Minarolli: Unë kam eksperimentuar me shumë lloj zhanresh dhe së fundmi solla 100% “afrobeat” të pastër, pa detaje elektronike dhe rezultoi perfekt për ngjyrat e vokalit tim. Unë muzikën e dua me të gjitha ngjyrat e saj kështu që për mua cdo rrymë ka dicka të vecantë. Personalisht do kisha zgjedhur “soul/RnB/jazz/blues/neo soul” dhe “afrobeats” tashmë (buzëqesh). Por… kam akoma rryma të tjera për të eksploruar dhe eksperimentuar.

TA: Si lindi bashëpunimi me Phyl dhe Bizzonthetrack?

Eltina Minarolli: Ne arritëm të kontaktojmë nëpërmjet një miku të përbashkët dhe këtu filloi gjithcka. Më dërguan produksionin, e dëgjova dhe më pëlqeu. Aq më tepër që ishte një zhaner i pastër i “afrobeats” që unë akoma nuk e kisha eksperimentuar.

Bizzonthetrack është një këngëtar me një numër të madh këngësh të publikuara dhe është goxha popullor në Nigeri. Ndërsa Phyl i njohur ndryshe si Producawa është po aq popullor por më tepër si producent sesa këngëtar. Tek bashkëpunimi ynë nuk ishte gati të prezantohej si këngëtar por e suportova dhe pranoi të ishte në duet (buzëqesh). Të dy të talentuar, sic i kam qejf unë (qesh).

TA: Cila nga dy këngët është e preferuara juaj, “Onome” apo “Lady”?

Eltina Minarolli: Për mua të dyja këngët janë të vecanta dhe jo pa qëllim jam bërë pjesë e të dyjave. “LADY” ka ndjesinë e vet dhe “ONOME” është pak më e kërcyeshme dhe ngel më lehtë në mendje.

TA: Pse mendon që fansat kanë zgjedhur “Lady” për ta futur në “The Top List”?

Eltina Minarolli: Me siguri asyeja ka qënë sepse kjo këngë ju ka ardhur më e pëlqyeshme, më e kërcyeshme. Por edhe “ONOME” është pëlqyer dhe kërcyer shumë. Madje është hapur një #onomedancechallenge ku njerëz të ndryshëm nga e gjithe bota më kanë dërguar video teksa kërcejnë nën ritmin e “Onome” dhe kjo është një shenjë goxha pozitive për një këngë që sapo është publikuar dhe ti papritur sheh njerëz nga e gjithë bota që nuk i njeh e të dërgojnë video dancing në profilin tënd të Instagram (buzëqesh). Fantastike. Kjo është fuqia e muzikës. T’i sjellë njerëzit bashkë. “Onome” e ka bërë këtë, pa harruar fuqinë e “Lady” që tashmë është bërë pjesë e playlistës suaj.

TA: Cdo të thotë për ty të jesh pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”?

Eltina Minarolli: Kur e pashë që isha bërë pjesë e klasifikimit zyrtar, u gëzova shumë dhe falenderoj të gjithë mbështetësit e mi që kanë votuar e ma bën të mundur të jem pjesë e kësaj top liste por në vecanti produksionit të “Top Awards” për këtë mundësi që ju jep të gjithë artistëve.

Mbetet absolutisht një nga eventet më të mëdha në Shqipëri dhe ka atë skene ku cdo artist do e kishte dëshiruar të shkelte e të performonte të paktën njëherë.

Për cdo artist, të jesh në “Top Awards” është absolutisht një nder i vecantë. Faleminderit!

TA: Mendon të jesh më aktive tani në muzikë?

Eltina Minarolli: Unë tani vetëm sa kam filluar… Për disa ditë publikoj këngën e re me titull “ALBANIAN GIRL”, një tjetër bashkëpunim afrikan me një rapper dhe këngëtar shumë të talentuar Haywise_Official dhe i referohemi dy kontinenteve, Afrikës dhe Shqipërisë. Bashkë planifikojmë dhe një EP album me 5 këngë të reja, te cilat do shoqërohen dhe me videoklip.

TA: Na zbulo planet më të afërta?

Eltina Minarolli: Bashkëpunime pafund të shoqëruara me klipe, një pjesë e madhe. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë kapërcej kufinjtë e Shqipërisë dhe do sjell bashkëpunime me shumë talente nga vende të ndryshme të botës. Jam shumë e lumtur që dhe dashamirësit e muzikës sime po më përkrahin dhe po i suportojnë shumë mirë prurjet e reja që po sjell.

TA: Një mesazh për të gjithë adhuruesit e muzikës tënde dhe cfare ju premton?

Eltina Minarolli: Jam shumë mirënjohëse për të gjithë mbështjetjen e tyre. Do të thotë shumë për mua sidomos pas një pushimi të gjatë që bëra, ne akoma nuk e kemi humbur njëri-tjetrin.

Ju premtoj që nëpërmjet muzikës sime përherë do përcjell energji dhe një pjesë timen. Gjithmonë do vazhdoj të mbetem autentike dhe e vërtetë në artin dhe krijimtarinë time. FALEMINDERIT ME ZEMER!